V E N D I M PËR PERCAKTIMIN E PROCEDURES SE LESHIMIT Të DOKUMENTEVE LIGJORE TË GARANCISË NË FUSHËN E KONTROLLIT SHTETËROR TË veprimtarisë së import-eksportit TË MALLRAVE USHTARAKE DHE TË MALLRAVE E TEKNOLOGJIVE, ME PËRDORIM TË DYFISHTË
V E N D I M
PËR
PERCAKTIMIN E PROCEDURES SE LESHIMIT Të DOKUMENTEVE LIGJORE TË GARANCISË NË FUSHËN E KONTROLLIT SHTETËROR TË veprimtarisë së import-eksportit TË MALLRAVE USHTARAKE DHE TË MALLRAVE E TEKNOLOGJIVE, ME PËRDORIM TË DYFISHTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të nenit 25, të ligjit nr. 9707, datë 5.4.2007, “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake, mallrave dhe teknologjive, me përdorim të dyfishtë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V e n d o s i:
1. Të gjitha subjektet tregtare, fizike dhe juridike, që përmbushin kriteret e përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, për të kryer import-eksporte, të cilat importojnë në Republikën e Shqipërisë mallra ushtarake, mallra dhe teknologji, me përdorim të dyfishtë, kanë të drejtë të kërkojnë të pajisen, nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, me njërën nga dokumentet ligjore të garancive.
2. Dokumentet e garancisë lëshohen nga AKSHE-ja, në bazë të kërkesave ligjore, për pajisjen me licencë eksporti, në fushën e kontrollit të eksporteve të mallrave strategjikë, të një shteti tjetër, nga i cili këto mallra do të eksportohen.
3. Këto dokumente garancie lëshohen nga AKSHE-ja, pas kontrolleve dhe verifikimeve të ushtruara nga ky autoritet, bazuar në deklaratën e vetë subjektit, i cili ka nevojë të pajiset me njërën nga këto dokumente ligjore.
4. Dokumentet e garancisë jepen në format e mëposhtme:
Ø Certifikatë ndërkombëtare e importit;
Ø Certifikatë e përdoruesit të fundit;
Ø Certifikatë e shpërndarjes;
Ø Certifikatë e deklaratës doganore .
5. Subjekti, i cili kryen transferime ndërkombëtare mallrash, që kërkon të pajiset me njërën nga dokumentet ligjore të garancisë, objekte të këtij vendimi, paraqet, pranë AKSHE-së një kërkesë, sipas formularit tip, të miratuar nga ky autoritet.
5.1 Kërkesa duhet të jetë e mbyllur në zarf së bashku me dokumentet përkatëse dhe protokollohet në zyrën e protokollit të AKSHE-së.
5.2 Dokumentet, që duhet të paraqesë subjekti, fizik a juridik, të nevojshme për pajisjen me njërën nga certifikatat e garancisë objekt i këtij vendimi, përcaktohen nga AKSHE-ja.
5.3 Në faqen e jashtme të zarfit shënohen adresa e plotë e subjektit, numrat e kontaktit, telefon dhe faks, nënshkrimi dhe vula e tij, adresa e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dhe shënimi, si në rastin, “Dokumente për pajisjen me certifikatë ndërkombëtare importi, certifikatë e përdoruesit të fundit, certifikatë shpërndarjeje, certifikatë e deklaratës doganore”.
5.4 Kërkesa për certifikata objekte të këtij vendimi, nuk duhet të përmbajë korrigjime, shtesa, ndryshime, përformatin e tekstit të kërkesës. Në rastet kur AKSHE-ja, vëren se në formular ka korrigjime, ia kthen dokumentacionin subjektit, për të bërë plotësimin e nevojshëm. Dokumentacioni duhet të plotësohet brenda 10 ditëve.
5.5 Kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues duhet të jenë në gjuhën shqipe (dokumentet duhet të jenë të përkthyera dhe noterizuara).
5.6 Çdo dokument i fotokopjuar duhet të jetë i noterizuar.
6 Afatet e shqyrtimit, për dhënien e certifikatave të garancisë, objekt i këtij vendimi, nga AKSHE-ja, nga dita e dorëzimit të kërkesës janë si më poshtë vijon:
§ 10 ditë, për lëshimin e certifikatës ndërkombëtare të importit ;
§ 10 ditë, për dhënien e certifikatës së përdoruesit të fundit;
§ 7 ditë, për dhënien e certifikatës së shpërndarjes;
§ 7 ditë, për dhënien e certifikatës së deklaratës doganore.
6.1 Këto afate fillojnë nga data e paraqitjes së dokumentacionit të plotë pranë AKSHE-së.
6.2 Koha e nevojshme për të marrë informacion shtesë nga subjektet e përfshira në transferimin ndërkombëtar të mallrave, nuk është përfshirë në këtë afat.
7 Çdo kërkesë e ardhur u nënshtrohet kontrolleve dhe verifikimeve nga AKSHE-ja dhe shoqërohet me vendimin e arsyetuar.
8 AKSHE-ja, kryen evidentimin e:
§ kërkesave të subjekteve.
§ certifikatave të lëshuara më parë, objekt i këtij vendimi, dhe deklaratës doganore.
§ korrespondencës me subjektet e përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave.
9 AKSHE-ja u komunikon, me shkresë, subjekteve të përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave, të cilat kanë bërë kërkesë, miratimin ose refuzimin e kërkesës.
10 Certifikatat, objekt i këtij vendimi, tërhiqen nga përfaqësuesi ligjor i subjektit ose nga personi i autorizuar, me akt noterial për të kryer një veprim të tillë (Kopja e autorizimit noterial depozitohet në dosjen, që arkivohet).
11. Certifikatat e garancisë, objekt i këtij vendimi, nuk lejohen të transferohen nga një person, fizik a juridik, te tjetri.
12. Kur një subjekt humbet certifikatat objekt i këtij vendimi, njofton menjëherë zyrtarisht AKSHE-në, dhe pajiset me dublikatë, duke plotësuar dokumentet, që konsiderohen të nevojshme nga ky autoritet.
13. Certifikata ndërkombëtare e importit, certifikata e shpërndarjes dhe certifika e përdoruesit të fundit, mund të revokohen në rastet e parashikuara në nenin 21, të ligjit nr.9707, datë 5.4.2007, “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake, mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë”.
13.1 AKSHE-ja, ka të drejtë ta revokojë certifikatën objekt i këtij vendimi, nëse të dhënat e deklaruara në dokumentacion ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme.
14. Në rastet e përmendura në pikat 12 e 13, të këtij vendimi, AKSHE-ja, njofton menjëherë autoritetin kompetent të kontrollit të eksporteve në shtetin eksportues.
15. Subjekti, i cili është pajisur me certifikatë ndërkombëtare të importit, certifikatë e përdoruesit të fundit dhe certifikatë shpërndarjeje nga AKSHE-ja, duhet të njoftojë, për çdo ndryshim lidhur në të dhënat e përfshira në dokumentacionin e depozituar, brenda 10 (dhjetë) ditëve, nga data e ndryshimit.
16. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, AKSHE-ja dhe institucionet e tjera me të cilat bashkëpunon ky autoritet, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
25/03/2009