E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Bashkëraportuesit e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Kryeministri Berisha priti në një takim Bashkëraportuesit e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës,  Senatorin çek Tomas Jirsa dhe deputetin moldav Grigore Petrencotë, cilët ndodhen në Shqipëri me një mision faktmbledhës.

Pasi u uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer që Shqipëria ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe me Asamblenë Parlamentare dhe Këshillin e Evropës, si dhe i falënderoi ata për një sërë programesh të KE-së për Shqipërinë, që po japin një kontribut të rëndësishëm në shumë fusha.

Senatori çek Tomas Jirsa e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke i rikonfirmuar atij vullnetin edhe të institucionit që ata përfaqësojnë, për vijimin dhe forcimin e bashkëpunimit. Në takim u vlerësuan një sërë arritjesh të rëndësishme në fushën e infrastrukturës ligjore dhe asaj teknike që mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ndër këto arritje, senatori çek Jirsa veçoi regjistrin elektronik qendror të shtetasve, prej të cilit del më vonë edhe lista e votuesve, duke theksuar se si rezultat i realizimit të këtij projekti të rëndësishëm, Shqipëria përfitoi edhe heqjen e vizave për qytetarët e saj, çka senatori çek e cilësoi si një arritje madhështore për vendin.

Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me të gjitha zhvillimet për sa i përket zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 dhe u rikonfirmoi vullnetin dhe vendosmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar në mënyrë tërësisht të hapur e transparente me opozitën, për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të vitit 2013, por dhe bashkepunim për reforma te tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar.


01/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›