E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përuron përfundimin e rehabilitimit të zonës së ndotur të Porto Romanos

Çështja e mjedisit do të mund të marrë përgjigje të shkëlqyer, kur ajo të bëhet çështje e çdo qytetari.

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e  përmbylljes së projektit për rehabilitimin e zonës së ndotur të Porto Romanos dhe përfundimin e punimeve civile. Ky projekt, i realizuar me mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare, të qeverisë së Mbretërisë së Holandës dhe Bankës Botërore, rehabiliton një nga zonat më të rrezikshme në vend nga ndotjet me substanca me potencial toksik. Rehabilitimi i zonës përfshin edhe punimet civile dhe pyllëzimin e saj.  

Kryeministri Berisha falënderoi donatorët e këtij projekti, qeverinë holandeze dhe Bankën Botërore, si dhe kompaninë që e realizoi atë, për punën e madhe të bërë për rehabilitimin në një kohë të shkurtër të zonës, duke krijuar një kapsulë izolimi rreth 14 mijë metra katror, të standardeve më të sigurta. Kjo është zona e pestë e rrezikshme që mbyllet gjatë këtyre viteve të fundit, në Shqipëri, - tha Kryeministri, duke theksuar edhe angazhimin e qeverisë për të bërë gjithçka për një mjedis sa më të shëndetshëm në vend.

Çështja e mjedisit, tha Kryeministri, do të mund të marrë përgjigje të shkëlqyer, kur ajo të bëhet çështje e çdo qytetari. Kryeministri ftoi çdo qytetar, çdo biznesmen që në veprimtarinë e tij të përditshme të mendojë për kontributin e tij në ruajtjen dhe zhvillimin e mjedisit.

Në përshëndetjen tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot, ne inauguruam një vepër jashtëzakonisht të rëndësishme për shëndetin e qytetarëve të Porto Romanos, por të mbarë qytetarëve të Durrësit, inkapsulimin sipas të gjitha standardeve të një prej zonave të mbetjeve më të rrezikshme për njeriun dhe shëndetin e tij. Kimikatet, me dhjetëra e dhjetëra tonelata që mbante kjo zonë, ishin rreziku më i madh që qytetarët e Porto Romanos dhe të Durrësit kanë pasur në këto vite. Këto substanca kanë një potencial të jashtëzakonshëm toksik mbi qelizat dhe njeriun në tërësi, ndaj duhet t’i shpreh mirënjohjen më të thellë Bankës Botërore, qeverisë së Mbretërisë së Holandës që bënë të mundur financimin dhe realizimin e këtij projekti, mbylljen, inkapsulimin e zonës më të rrezikshme të Shqipërisë dhe një më të rrezikshme në rajon. Në një hark kohor të shkurtër, kompania, inxhinierët e punonjësit e  së cilës dua t’i përgëzoj, kanë bërë një vëllim shumë të madh punimesh, kanë lëvizur mbi 60 metër kub dhera, kanë krijuar një inkapsulim, një kapsulë izolimi me sipërfaqe rreth 14 mijë metra katror, kanë ndërtuar këtu inkapsulimin me standardet më të sigurta, duke i dhënë një herë e përgjithmonë fund rrezikut që kjo zonë paraqiste për banorët.

Zonja dhe zotërinj,

Kjo është zona e pestë e rrezikshme që mbyllet gjatë këtyre viteve të fundit, në Shqipëri, me angazhimin serioz të qeverisë shqiptare dhe ndihmën e donatorëve. Ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për një mjedis sa më të shëndetshëm, në këtë vend. Ju ftoj ju, qytetarëve të Durrësit e të mbarë Shqipërisë, që çështjen e mjedisit ta shndërrojmë në një çështje jete për vete dhe fëmijët tanë. Shqipëria, në disa tregues për ruajtjen e mjedisit renditet sot më mirë se ndofta në të gjitha fushat e tjera, por këtu nuk duhet të ketë asnjë vetëkënaqësi, duhet të ketë vetëm një ambicie, vendosmëri të madhe për të arritur standardet më të larta të mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit, si kusht për një jetë e veprimtari të shëndetshme, për të përfituar nga të gjithë faktorët shëndetësor që ndikojnë pozitivisht në shëndetin tonë, të tokës e mjedisit.

Çështja e mjedisit do të mund të marrë përgjigje të shkëlqyer, kur ajo të bëhet çështje e secilit prej nesh. Para disa ditësh, mediat paraqitën disa motele e hotele që derdhnin ujërat në det. Natyrisht, kjo ishte e patolerueshme. Përgëzoj ndërhyrjen e shpejtë që kanë bërë këto kompani sëbashku me ministrinë, për të parandaluar derdhje të atilla në det. Por ftoj çdo biznesmen, çdo qytetar që në veprimtarinë e tij të përditshme të ndalet të mendojë për kontributin e tij në ruajtjen dhe zhvillimin e mjedisit në këtë vend. Nuk duhet të harrojmë se ne vijmë nga një e shkuar jo e largët, por e afërt, ku standardet mund të ishin gjëja e fundit që të vinin në mendje, një histori e dhimbshme mbijetese, por sot jemi absolutisht vite drite larg asaj kohe. Sot, Shqipëria është tjetër. Sot, Shqipëria kërkon nga të gjithë ne, të njohim realitetin e saj të ri, të përshtatemi me realitetin e kërkesat e saj dhe ku ndër më themeloret është një mjedis i shëndetshëm, i zhvilluar dhe i mbrojtur. Ne po ecim drejt një revolucioni të vërtetë industrial. Shqipëria do të jetë një vend i rëndësishëm industrial, por në çdo rast e në çdo investim, ne do të bëjmë gjithçka për të ruajtur standardet më të larta, në mënyrë që të mbrojmë shëndetin tuaj e të fëmijëve tuaj, në mënyrë që ju të jetoni në një vend, qytet, komunë e fshat të pastër.

Edhe një herë dua të falënderoj Bankën Botërore, qeverinë holandeze e të shpreh vendosmërinë e qeverisë shqiptare, për të bërë gjithçka që në garën europiane e botërore të ruajtjes e zhvillimit të mjedisit, në këtë maratonë të lodhshme, fisnike e të mundimshme, ne të shënojmë gjithnjë suksese më të mëdha. Faleminderit.”


01/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›