E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Drejtoreshën e BB-së për Shqipërinë, znj. Camilla Nuamah dhe ekspertin e kësaj banke për sektorin minerar, z. Michael Stanley

Kryeministri Berisha priti sot Drejtoreshën e Bankës Botërore për Shqipërinë, Camilla Nuamah dhe ekspertin e njohur të kësaj banke, në fushën e rregullimit dhe menaxhimit të sektorit minerar, Michael Stanley. Ky takim, i bërë me kërkesën e Kryeministrit Berisha, u zhvillua në vazhdën e thellimit të reformës së qeverisë në fushën e minierave.

Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të situatës në sektorin minerar në Shqipëri, duke nënvizuar se në strategjinë dhe politikën e qeverisë shqiptare vendosja dhe zbatimi i standardeve ndërkombëtare për ruajtjen, shfrytëzimin dhe mirëmenaxhimin e burimeve natyrore minerare zë një vend kryesor.

Gjithashtu Kryeministri Berisha theksoi se strategjia e qeverisë për këtë sektor do të garantojë transparencë, konkurrueshmëri, barazi duke aplikuar ligje, politika, ekspertiza e teknologji të standardeve më të mira.

Eksperti i Bankës Botërore në sektorin e minierave, z. Michael Stanley ka bërë vlerësimin e situatës ekzistuese në fushën e minierave dhe është njohur me qëllimet e referencës dhe ligjin e ri për minierat që është në proces hartimi me asistencën e Bankës Botërore. Z. Stanley vuri në dukje se Shqipëria ka avantazhin e të qenit vend burimor të minerareve si krom, bakër, hekur-nikel, dhe platin. Eksperti i Bankës Botërore theksoi se një rast i suksesshëm i shfrytëzimit të burimeve minerare, është investimi në industrinë e çimentos duke vlerësuar se investitorët në këtë fushë janë shumë seriozë. Z. Stanley theksoi se kjo është një shenjë e zhvillimit të shpejtë edhe të industrive të tjera minerare.

Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Camilla Nuamah, ofroi mbështetjen dhe kontributin e Bankës në drejtim të rregullimit dhe mirëmenaxhimit të sektorit minerar dhe garantoi një bashkëpunim më të ngushtë me qeverinë shqiptare për këtë qëllim.

Për nga rëndësia e këtij sektori në zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe vëmendja që ai ka fituar në mbarë botën si rezultat i rritjes së çmimit të minerareve në bursë, qeveria do të riorganizojë dhe rregullojë këtë sektor në bazë të standardeve ndërkombëtare.

Banka Botërore po jep kontributin e saj në hartimin e ligjit të ri për sektorin minerar dhe ka gjithashtu një projekt pyllëzimi të hapësirave të ndryshme të vendit, në kuadër të kontributit të saj në mbrojtjen dhe përmirësimin e ambjentit.

 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›