E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon profesor Andrea Riccardi, themelues i Komunitetit të Sant’t Egidio

Kryeministri Berisha priti sot, në një takim miqësor, profesor Andrea Riccardi, themelues i Komunitetit të Sant’t Egidio.

Duke i uruar mirëseardhjen në Shqipëri zotit Riccardi, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij dhe të mbarë shqiptarëve për punën e çmuar, të kësaj organizate në ndihmë të Shqipërisë dhe Kosovës, në mbrojtje të vlerave njerëzore, të të drejtave të njeriut, të paqes dhe integrimit, emancipimit, si dhe ndërtimit dhe zhvillimit të demokracisë.

Kryeministri Berisha u shpreh se do të mbeteshin të pashlyera në kujtesën e tij dhe të gjithë shqiptarëve mbështetja e vyer që Komuniteti i Sant’ Egidio-s dha për refugjatët kosovarë në vitet 1998-1999 në Kukës, Lezhë, Tiranë, Durrës e Kavajë, me mjekë, infermierë, mësues, asistentë socialë nga vende të ndryshme të botës.

Gjate takimit, Kryeministri Berisha e njohu zotin Riccardi me progresin e reformave në Shqipëri, te cilat të ndërthurura me luftën me tolerancë zero, kundër krimit, korrupsionit dhe informalitetit e kanë bërë Shqipërinë një vend të sigurt dhe premtues për investime të huaja dhe zhvillim të mëtejshëm.

Profesor Andrea Riccardi e falënderoi Kryeministrin Berisha për takimin dhe shprehu vlerësimin e tij mjaft pozitiv, për hapat e mëdha që vendi ynë po bën po bën në drejtim të zhvillimit politik, ekonomik, kulturor, etj.

Gjatë bisedës Kryeministri Berisha dhe Profesor Riccardi u ndalën gjerësisht në zhvillimet në rajon dhe veçanërisht në pavarësinë e Kosovës dhe ardhmërinë e shtetit të ri.

Kryeministri Berisha u shpreh se dita e 17 shkurtit është dita e lirisë së vërtetë të kombit shqiptar, pas një udhëtimi të gjatë e të mundimshëm.

Profesor Riccardi theksoi se pavarësia e Kosovës është një ndihmë e çmuar për stabilitetin në rajon si dhe një kthim në realitet për Serbinë dhe popullin e saj, duke parë kështu drejt një të ardhmeje të përbashkët për të dyja vendet drejt integrimit Evropian.

Sant Egidio është e para Organizatë Jo Qeveritare ndërkombëtare e cila erdhi  në Shqipëri dhe për vite me radhë ka dhënë  një ndihmë të çmuar për shqiptarët, ne fusha te ndryshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›