Kryeministri Berisha pret përfaqësuesit e grupit korean SK E&C.
Kryeministri Berisha priti në një takim përfaqësuesit e grupit korean
SK E&C.
Grupi korean përfaqëson 56 kompani që operojnë në energjitikë, telekom & IT dhe në infrastrukturë.
Në bisedë më Kryeministrin Berisha, përfaqësuesit e këtij grupi vlerësuan potencialet që ofron Shqipëria për zgjerimin e investimeve të tyre.
Ata thanë se pas studimeve të bëra në rajon, e gjetën Shqipërinë si vendin më të përshtatshëm dhe me klimën më të mirë të biznesit për të realizuar projekte në fushat e interesuara: energjitikë, telekom & IT dhe në infrastrukturë.
Kryeministri Berisha falenderoi investitorët koreanë që zgjodhën Shqipërinë për të realizuar plan-projektet e tyre dhe i inkurajoi që ato të nisin sa më shpejt zbatimin duke theksuar se investimet në këto fusha janë prioritare edhe për qeverinë “Berisha”.
Kryeministri i njohu investitorët koreanë me situatën aktuale në vend dhe reformat që lehtësojnë procedurat për investimet në Shqipëri. Zoti Berisha garantoi se fillimi sa më i shpejt i këtyre projekteve do të mundësonte suksesin e tyre dhe se qeveria shqiptare garanton investitorët se veç kushteve të përshtatshme për zhvillimin e investimeve të tyre do të kenë dhe transparencë në këtë proces.