E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Nuk duhet të tolerojmë më toka bujqësore të papunuara në vend

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha tha se çështja e tokave bujqësore të pa punuara në vendin tonë mbetet problem i madh.

“Ne nuk do ta tolerojmë më një gjë të tillë, sepse ne klasifikohemi në vendet me pak tokë dhe një vend i tillë nuk ka tokë për ta lënë dierrë”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri i kërkoi ministrit të Bujqësisë që menjëherë të nisë dialogun me opozitën, edhe në komisionin parlamentar përkatës, për të bërë një diskutim me ta, në mënyrë që të merret një qëndrim i përbashkët, para se vendimi të kalojë në qeveri. “Këto reforma nuk janë të tilla që të mund t’i bësh si vegu i Penelopës, por janë reforma që kur ndërmerren, duhet t’i qëndrojnë kohës për 30-40 vjet”, vijoi Kryeministri.

Kryeministri ritheksoi se në këtë drejtim është i nevojshëm konsensusi me opozitën. “Duhet të gjejmë mënyrën më të mirë  për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, pa e shtyrë me tej. Uroj dhe dëshiroj që edhe opozita ta marrë me seriozitet, sepse është një problem shumë i rëndësishëm”, nënvizoi Kryeministri.

Duke iu referuar disa pronarëve, të cilët thonë se nuk i dalin dot zot tokës së tyre, pasi sipas tyre, i pengon shumë taksa e vendosur për transferimin e tokës, Kryeministri  premtoi se kjo çështje do të rishikohet, pasi kjo taksë edhe mund të jetë rënduar më shumë. “Këtë çështje e kam diskutuar edhe me ministrinë e Financave dhe duhet të bëjmë një ndërhyrje lehtësuese në këtë drejtim”, u shpreh Kryeministri.                 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›