Kryeministri Berisha pret Presidentin e Bordit të Institutit Gjerman për Çështjet Europiane Jürgen Gramke
Kryeministri Berisha priti sot Presidentin e Bordit të Institutit Gjerman për Çështjet Europiane Jürgen Gramke, i cili është edhe bashkëthemelues dhe koordinator i Iniciativës së Industrisë Gjermane për zonën e Ruhrit, që përfshin 72 kompani ndër më të rëndësishmet në Gjermani dhe ish ministër i Ekonomisë dhe Teknologjisë i landit të Saxony-Anhalt.
Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen, e njohu zotin Gramke me reformat dhe arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, që e kanë shndërruar Shqipërinë ndër vendet me indeksin më të ulët të kriminalitetit në Europë, si dhe arritjet e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit.
Kryeministri e njohu zotin Gramke gjithashtu me reformat fiskale dhe ekonomike, “One stop shop” për regjistrimin e biznesit, digjitalizimin e procedurave, e-taksat, e-prokurimet, e-doganat etj., të cilat kanë krijuar një klimë të favorshme për biznesin dhe investimet. Dëshmi e kësaj klime, tha Kryeministri, është edhe interesi gjithnjë e në rritje i investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri. Sikundër Shqipëria, theksoi Kryeministri, po bëhet një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët e huaj, numri i të cilëve ka shënuar rritje të jashtëzakonshme gjatë dy viteve të fundit.
Kryeministri u ndal veçanërisht në reformën në fushën e privatizimeve dhe standardet e reja të transparencës që ka arritur qeveria në procesin e privatizimeve të rëndësishme, duke përmendur privatizimin e kompanisë ARMO me vlerë 128 milion euro, një çmim 13 herë më i lartë se vlera e parashikuar për privatizim nga qeverisja e mëparshme prej 10 milion euro. Nivelet e larta të transparencës, si asnjë herë më parë, lufta e vendosur kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe atij në dogana kanë bërë të mundur uljen e shpenzimeve operative në 1 për qind të PBB-së, si dhe rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga 22 në 27 për qind të PBB-së, pavarësisht uljes drastike të taksave në nivelin e taksës së sheshtë 10 për qind, u shpreh Kryeministri.
Duke falënderuar Kryeministrin Berisha për mikpritjen, Zoti Gramke vlerësoi arritjet e mëdha që vendi ynë ka bërë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian dhe në NATO.
Zoti Gramke shprehu vlerësimet për arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë në fushën e reformave, për masat e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës në procesin e privatizimeve dhe në procedura të tjera, si dhe krijimin e një klime të favorshme për biznesin.
Zoti Gramke theksoi se interesi i investitorëve gjermanë për të investuar në Shqipëri është në rritje, në nivele të panjohura më parë. Forumet e biznesit evropian, tha ai, janë shumë të interesuara për të eksploruar mundësitë që ofron Shqipëria në fusha të ndryshme si në energji, turizëm, infrastrukturë, miniera etj..
Si përfaqësues i një forumi të rëndësishëm në fushën e politikave europiane dhe ekonomike, zoti Gramke shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me qeverinë shqiptare për promovimin e interesave të investitorëve gjermanë dhe të huaj në Shqipëri.