E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit të Bullgarisë

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit të Bullgarisë, Mladen Cervenjakov.

Pasi i uroi mirëseardhjen Kryeministri e falenderoi z. Cervenjakov për mbështetjen e çmuar që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në NATO dhe BE. 

Kryeministri Berisha e njohu Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit të Bullgarisë me ecurinë e reformave të thella dhe të gjithanshme në Shqipëri, me qëllim përmbushjen e standardeve për procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE.

Në këtë kontekst Kryeministri evidentoi luftën me zero tolerancë që qeveria shqiptare ndërmori kundër krimit të organizuar duke e shndërruar Shqipërinë në një vend me tregues kriminaliteti më të ulët se mesatarja e BE-së. Kryeministri theksoi se gjatë vitit 2008 mbi 2 milionë turistë vizituan Shqipërinë dhe nuk u shënua asnjë incident. 

Gjithashtu Kryeministri e njohu Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit të Bullgarisë me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit. 

Në vitin 2005, tha Kryeministri, ne kishim probleme serioze me nivelin e korrupsionit, të cilave iu përgjigjëm me reforma dhe me ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar. 

Duke renditur disa nga reformat e ndërmarra në këtë drejtim, Kryeministri veçoi reformimin e administratës, uljen e taksave, prokurimet elektronike, duke shtuar se nga 1 janari 2009, nuk do të ketë më prokurime jo elektronike. Ne, tha Kryeministri, në tre vjet kursyem 4 miliardë dollarë dhe kemi paraqitur çdo vit në parlament një buxhet suplementar. 

Kryeministri e informoi Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit të Bullgarisë se në bashkëpunim me opozitën u realizua reforma kushtetuese, reforma zgjedhore dhe po vijohet me reformën në drejtësi. 

Objektivi kryesor i kësaj qeverie, tha Kryeministri Berisha, është zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme duke evidentuar përpjekjet për ngritjen e një infrastrukture zgjedhore moderne si listat dhe regjistri elektronik, kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike.

Më tej Kryeministri theksoi se qeveria i ka kushtuar një vëmendje të veçantë sektorit të arsimit duke dyfishuar buxhetin dhe mbidyfishuar numrin e studentëve dhe ka eleminuar tërësisht korrupsionin në procedurat e pranimit. Arsimi, u shpreh Kryeministri, do të jetë prioriteti ynë kryesor gjatë mandatit të dytë nëse qytetarët do të votojnë këtë qeveri.

Duke u ndalur në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, Kryeministri Berisha tha se pas ratifikimit të MSA-së nga të gjitha vendet anëtare, Shqipëria po përgatitet për të aplikuar për statusin e kandidatit brenda Presidencës çeke të BE-së. 

Gjatë takimit Kryeministri i shprehu z.Cervenjakov mirënjohjen e thellë për rolin shumë konstruktiv që Bullgaria ka luajtur për çështjen e Kosovës duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut të madh për paqen në rajon. 

Nga ana e tij, Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit të Bullgarisë pasi falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë, e vuri theksin në marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Bullgarisë. Z. Cervenjakov tha se ishte i befasuar nga reformat e gjithanshme të ndërmarra në Shqipëri brenda një kohe të shkurtër. Bullgaria, tha z. Cervenjakov mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE.

Gjithashtu Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit të Bullgarisë vlerësoi se qeveria shqiptare ka bërë një punë të shkëlqyer me reformat veçanërisht përsa i përket përmbushjes së detyrimeve për sigurinë e dokumenteve të identifikimit në kuadër të liberalizimit të plotë të vizave me Bashkimin Europian 

Ju, vijoi më tej Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin e Bullgarisë, po ecni në rrugën e duhur përsa i përket integrimit në BE, dhe ne ju mbështesim plotësisht në këtë aspekt. 

Të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve duke i dhënë rëndësi të veçantë ndërtimit të projekteve të përbashkëta rajonale, siç është Korridori VIII apo projektet energjetike.   

Duke e vlerësuar ndërtimin e Korridorit VIII si një çështje fondamentale, Kryeministri Berisha dhe z. Cervenjakov ndanë të njëjtin mendim se secili vend duhet të bëjë aq sa mundet me burimet e veta për ndërtimin e këtij projekti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›