Kryeministri Berisha pret Kryetarin e parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi
Kryeministri Berisha priti sot Kryetarin e parlamentit të Kosovës, zotin Jakup Krasniqi.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi se tashmë Kosova është shndërruar dhe po konsolidohet përditë në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon.
Kryetari i parlamentit Krasniqi e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta, respektin dhe vlerësimin e personaliteteve dhe popullit të Kosovës. Kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi lart kontributin e Kryeministrit Berisha dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë në vazhdimësi Kosovës, si në procesin e njohjes së pavarësisë, ashtu edhe në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit në të gjitha fushat, në dobi të të mirës së të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre. Në veçanti, kryeparlamentari Krasniqi shprehu mirënjohjen ndaj Kryeministrit Berisha për kontributin dhe rolin e tij për realizimin e projektit të rrugës së kombit, e cila do të shërbejë si një faktor shumë i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve të ngushta e të gjithanshme dhe integrimin kulturor, por edhe ekonomik të kombit.
Në takim u vlerësua ecuria pozitive e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se pavarësia e Kosovës është dhe mbetet e vetmja rrugë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
Gjithashtu, u rikonfirmua vullneti i palëkundur i të dy vendeve për t’i konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin vëllazëror dhe me interes të ndërsjellë në fushën ekonomike, tregtare, arsimore, kulturore dhe për heqjen e të gjitha barrierave qofshin këto të karakterit doganor, tatimor etj., duke e kthyer bashkëpunimin midis Kosovës dhe Shqipërisë në shembull të marrëdhënieve të shkëlqyera të fqinjësisë dhe bashkëpunimit në rajon dhe duke e shndërruar faktorin shqiptar në element të rëndësishëm promovues për paqen, stabilitetin dhe miqësinë në mbarë rajonin e Europës Juglindore.
Në takim u vlerësuan gjithashtu zhvillimet shumë pozitive përsa i përket konsolidimit të demokracisë në Kosovë, siç ishin zgjedhjet e fundit lokale, në veçanti pjesëmarrja e komunitetit serb në këto zgjedhje. Kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi lart dhe falënderoi Kryeministrin Berisha për ndihmën dhe mbështetjen që qeveria shqiptare i ofroi komunës së Drashanicës.
Kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi edhe zhvillimet shumë pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri përsa i përket ecjes përpara të saj në rrugëtimin europian dhe euroatlantik.
Kryeministri Berisha vlerësoi reformat e ndërmarra në Kosovë, të cilat përditë e më shumë po konsolidojnë institucionet demokratike në këtë vend, respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe po e shndërrojnë atë në faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke e përgatitur Kosovën për të ardhmen e saj euroatlantike.
Në fund të takimi, Kryeministri Berisha i përcolli Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi përshëndetjet e përzemërta.
08/04/2010