E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret kryetarin e komunës së Gostivarit z. Rufi Osmani

- Zoti Osmani i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohje për kontributin e tij në mbështetje të drejtave njerëzore të shqiptarëve në Maqedoni

- Kryeministri Berisha theksoi se politika e qeverisë shqiptare ka qenë dhe do të mbetet përherë e hapur, vëllazërore dhe bashkëpunuese me të gjithë faktorët e spektrit politik shqiptar në rajon e më gjerë

Kryeministri Berisha priti sot në një takim miqësor kryetarin e komunës së Gostivarit, z. Rufi Osmani, i shoqëruar prej bashkëpunëtorëve të tij.Zoti Osmani i shprehu Kryeministrit Berisha kënaqësinë dhe falënderimet për pritjen e ngrohtë dhe në veçanti i shprehu mirënjohjen për kontributin e tij në mbështetje të drejtave njerëzore të shqiptarëve në Maqedoni, promovimin e proceseve demokratike dhe evropianizimin e jetës politike shqiptare në tërësi.

Ai e njohu Kryeministrin Berisha me arritjet e qeverisjes së krahinës, frymën politike dhe problemet e zhvillimit që ekzistojnë në komunitetin që ai përfaqëson dhe më gjerë.

Duke u ndalur tek objektivat, zoti Osmani theksoi rolin e faktorit shqiptar në plotësimin e mëtejshëm të marrëveshjes së Ohrit, si dhe kontributin që ata mund të luajnë më tej në zgjerimin e pluripartitizmit në republikën fqinjë.

Kryeministri Berisha, duke i uruar mirëseardhjen, i shprehu konsideratat më të larta për shqiptarët në republikën e Maqedonisë dhe posaçërisht për banorët e Gostivarit.

Shqiptarët kudo tashmë, - vlerësoi Kryeministri - , janë pjesë e rëndësishme e një procesi demokratik evolutiv dhe në përsosje të vazhdueshme. Në këtë kontekst, ai vlerësoi zgjedhjet e fundit në Maqedoni, si dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare për marrëveshjen historike të Ohrit.

Në vazhdim, Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria po ecën e sigurt në konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe zhvillimin ekonomiko- politik. “Zgjedhjet e fundit në Shqipëri realizuan standardet më të larta deri më tani në Shqipëri. Zgjedhjet e lira e demokratike të zhvilluara tek ne janë të certifikuara e të krahasueshme me shumë vende evropiane. Prandaj askush nuk duhet të konsiderohet i humbur. E rëndësishme është të menaxhohet me dinjitet rezultati gjithsecilit në favor të të mirës së përgjithshme”.

Arritjet e mësipërme , vijoi Kryeministri, janë një bazë e shëndoshë për finalizimin këtë vit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe po e përshpejtojnë anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Në përfundim, Kryeministri Berisha, duke i përcjellë përshëndetjet më të mira banorëve të Gostivarit, ritheksoi se politika e qeverisë shqiptare ka qenë dhe do të mbetet përherë e hapur, vëllazërore dhe bashkëpunuese me të gjithë faktorët e spektrit politik shqiptar në rajon e më gjerë.


09/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›