Kryeministri Berisha pret Ministrin e Ekonomisë së Sllovenisë, zotin Andrej Vizjak
Sot pasdite, Kryeministri Sali Berisha priti Ministrin e Ekonomisë së Sllovenisë, zotin Andrej Vizjak. Ministri slloven po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, i shoqëruar nga përfaqësues të rreth 50 kompanive të Sllovenisë.
Të dy palët vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer politik mes dy vendeve dhe ndanë të njëjtin vullnet për forcimin e këtij bashkëpunimi dhe në fusha të tjera, veçanërisht atë ekonomike.
Ministri slloven i ekonomisë vlerësoi zhvillimet dhe progresin e dukshëm të Shqipërisë në shumë aspekte dhe shprehu interesin e lartë të kompanive sllovene për investime në Shqipëri, në fusha si; energjia, infrastruktura, transporti, sektori industrial, etj. Ai theksoi se këtë interes për investime e tregon dhe prezenca e përfaqësuesve të rreth 50 kompanive sllovene në delegacionin që e shoqëron atë.
Zoti Vizjak i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se ky hap është një inkurajim dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve. Ministri i Ekonomise, zoti Andrej Vizjak, theksoi gadishmërinë e qeverisë së Sllovenisë për të mbështetur dhe ndihmuar Shqipërinë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke iu referuar eksperiencës sllovene në këtë drejtim.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e njohu ministrin slloven me ecurinë e reformave në Shqipëri, veçanërisht në fushën ekonomike, nismat e ndërmara nga qeveria në mbështetje të biznesit, si ulja e taksave dhe lehtësi të tjera fiskale. Kryeministri e siguroi ministrin slloven se Shqipëria ofron mundësi dhe potenciale për investitorët e huaj, duke shprehur angazhimin e plotë të qeverisë në këtë drejtim.
Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu nënshkrimin e Memorandumit të bashkëpunimit ekonomik mes Ministrisë së Ekonomisë shqiptare dhe asaj sllovene, gjatë kësaj vizite të ministrit slloven në Shqipëri, duke nënvizuar se kjo do të mundësojë dhe nxisë realizimin e projekteve konkrete dypaleshe.