Këshilli i Ministrave miraton vendime për rritjen e pensioneve
Në mbledhjen e tij të radhës, Këshilli i Ministrave miratoi një paketë projektligjesh dhe vendimesh për rritjen e pensioneve.
Vendimet e miratuara janë:
•Projektligji "Për llogaritjen e pensioneve";
•Vendimi për rritjen e pensioneve;
•Vendimi për rritjen me 2% të pensioneve suplementare të ushtarakëve, të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të trajtimeve të veçanta financiare;
•Për caktimin e koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual, për llogaritjen fillestare të pensioneve;
•Për kompensimin e të ardhurave mujore, të pensioneve.
Këto vendime rrisin 20% pensionet e 170 mijë pensionistëve në fshat; rrisin mesatarisht 15% pensionet e 176 mijë pensionistëve në qytet dhe pensionet e tjera nga 5-15 %. Efekti financiar i këtyre vendimeve është 2.1 miliard lekë.
"Vendimi për rritjen e pensioneve, theksoi kryeministri, synon të lehtësojë jetesën dhe përballimin e saj nga pensionistët shqiptarë, të cilët meritojnë shumë më tepër. Fondi i pensioneve ishte totalisht bosh, ndonëse këta burra e gra, sot të moshuar, kanë dhënë gjatë punës së tyre një kontribut madhor, të cilin ia asgjesoi regjimi vitet e fundit të tij, në mënyrën më të papërgjegjshme".
Duke vlerësuar se me këtë rritje u arrit që të mos ketë pensione të qytetit nën vlerën e 9 240 lekëve, kryeministri siguroi se qeveria synon që për një periudhe 6 vjeçare pensionet e fshatit të barazohen me pensionet e qytetit. Për arritjen e këtij synimi do të ndiqet një politikë konstante e rritjes së pensioneve të ulta, sikundër edhe e pensioneve të tjera.