E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, z. Philip T. Reeker

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, z. Philip T. Reeker.  

Pas takimit mes tyre, Kryeministri Berisha dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit z. Reeker, dhanë një prononcim për mediat, në të cilin u shprehën:

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam takimin me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, zotin Philip Reeker, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri. Në këtë takim, ne diskutuam për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve dhe kombeve tona dhe potencialin e madh që ekziston për konsolidimin dhe zhvillimin e tyre të mëtejshëm.

Për mua ishte një rast shumë i veçantë për t’i shprehur zotit Reeker, Sekretares së Shtetit Clinton dhe Presidentit Obama, mirënjohjen më të thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të gjithë mbështetjen e madhe që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, në përpjekjet për ndërtimin e demokracisë, bazuar në vlerat e tregut, anëtarësimin e saj në NATO dhe në projektin aktual më madhor, anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në këtë takim, unë e sigurova zotin Reeker se, në bindjen time më të thellë, mënyra më dinjitoze dhe më e shkëlqyer që Shqipëria të shprehë mirënjohjen ndaj kësaj mbështetjeje të madhe, është të përkushtohet ndaj vlerave që ne ndajmë si shoqëri të lira, mënyra më e mirë është që në këtë 100 vjetor, në të cilin shqiptarët ndihen krenar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si mikun më të mirë, më të rëndësishëm, që kanë në botë, të punojnë për të zhvilluar vlerat që kanë bërë të madhe demokracinë amerikane, që kanë bërë të madh kombin amerikan.

Unë e njoha zotin Reeker me të gjitha reformat e ndërmarra, me problematikën që ne përballemi dhe që ekziston, me vendosmërinë e qeverisë për të merituar statusin e vendit kandidat dhe me vendosmërinë e qeverisë për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe ftesën time ndaj qeverisë dhe institucioneve të Shteteve te Bashkuara, për një prani sa më të gjerë të tyre në zgjedhjet e ardhshme.

Një çështje e veçantë e diskutimeve me zotin Reeker ishte dhe konsolidimi i pavarësisë së institucioneve të vendit. Unë e garantova atë se mbetemi plotësisht të vendosur të punojmë për pavarësinë dhe funksionimin e tyre dhe, e falënderova për shkallën e shkëlqyer dhe ndihmën shumë të madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës u japin këtyre institucioneve, për funksionimin e tyre më të mirë.

 Shfrytëzova rastin për të përsëritur edhe njëherë ftesën për Sekretaren e Shtetit Clinton, për të vizituar Shqipërinë, si një mike e madhe dhe e shquar e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.

Edhe njëherë, ju falënderoj shumë zoti Reeker për këtë vizitë në Shqipëri.

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, z. Reeker: Faleminderit shumë, Kryeministri Berisha.

Mirëdita të gjithëve.

Është vërtet një nder të kthehem në Shqipëri dhe veçanërisht në këtë vit të njëqindtë të pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri dhe unë folëm vërtet për marrëdhënien e fortë dypalëshe midis dy vendeve tona. Shqipëria është një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara.

Si gjithmonë, patëm mundësinë të diskutonim për perspektivën europiane të Shqipërisë, zhvillimet në rajon dhe unë gjithmonë çmoj pikëpamjet e Kryeministrit për rajonin dhe më gjerë në botë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë kontributet e qëndrueshme të qeverisë për sigurinë rajonale dh endërkombëtare, përfshirë kontributet për misionin ISAF dhe vendosjen e stabilitetit në Afganistan.

Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj demokratizimit të vazhduar të rajonit si dhe integrimit të tij euro-atlantik.

Siç i thashë Kryeministrit, Uashingtoni do ta ndjekë vitin që vjen nga shumë afër. Presim të shohim përparim të vazhduar me reformat, si dhe respektim të pavarësisë së institucioneve demokratike; veçanërisht javët që vijnë do të jenë kritike. Janë kritike për të demonstruar përparimin lidhur me reformat dhe një seriozitet qëllimi që kapërcen politikën dhe pasqyron interesat dhe dëshirat më të mira të popullit shqiptar. E falënderoj përsëri Kryeministrin për bujarinë e tij me kohën sot dhe shpreh përsëri gëzimin dhe mirënjohjen për këtë mundësi vizite në Republikën e Shqipërisë.  

Faleminderit.


06/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›