Kryeministri Berisha: Këtë vit të ri shkollor, të gjithë fëmijët e familjeve në nevojë, marrin librat falas që ditën e parë, ose me rimbursim 100 për qind
- Kryeministri u shpreh se gjuha shqipe është lëndë lider dhe nuk mund të vazhdojë të jetë e përfshirë së bashku me letërsinë, duke kërkuar ndarjen përfundimtare të saj nga letërsia
Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se qeveria mbetet tërësisht e angazhuar për të lehtësuar dhe krijuar kushtet optimale për të gjithë fëmijët e nxënësit që nisin vitin e ri shkollor. Këtë vit të ri shkollor, të gjithë fëmijët që janë në nevojë, marrin librat falas që ditën e parë, ose me rimbursim 100 për qind, tha Kryeministri.
Duke uruar mbi 650 mijë nxënës, vogëlushë, gjimnazistë, studentë e studente që nisin vitin e ri shkollor në mbarë vendin, për një vit të mbarë dhe plot suksese, Kryeministri Berisha i garantoi nxënësit, mësuesit e prindërit e tyre se, për qeverinë, arsimi mbetet çështja më serioze, më e rëndësishme, më kryesore.
Kryeministri përmendi konkretisht kategoritë përkatëse të cilat përfitojnë rimbursim 100 për qind të teksteve falas, si; nxënësit romë që vijojnë arsimin e detyruar; nxënësit që kanë probleme me dëgjimin dhe shikimin; nxënësit që vijnë nga familjet e pakicave kombëtare; nxënësit që vijnë nga rreth 100 mijë familje që trajtohen me ndihmë ekonomike; nxënësit që vijnë nga familje që kanë në përbërjen e tyre anëtarë me aftësi të kufizuar të dokumentuar nga Kemp-et; nxënësit që kanë në familjet e tyre kryefamiljarë me pension invaliditeti nga shteti, ose që vijnë nga familje ku kryefamiljari është pensionist për rrethana të caktuara; fëmijët e grave kryefamiljare që mbajnë familjet pa burrin e tyre.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se rimbursohen në masën 50 për qind tekstet për të gjithë punonjësit buxhetorë e jo buxhetorë të sipërmarrjeve publike, apo kompanive ku shteti është aksioner, por që kanë një pagë bruto nën 30 mijë lekë, ndërsa fëmijët e emigrantëve të diasporës marrin falas tekstet për mësimin plotësues.
Kryeministri u ndal edhe në një çështje tjetër shumë të rëndësishme të arsimit në Shqipëri, kërkesën për transformimin e kurrikulës së gjuhës shqipe në vend. Kryeministri insistoi se gjuha shqipe duhet të shtrihet në të gjithë ciklet shkollor, po të jetë e mundur edhe në ciklin parashkollor, me elementët më fillestar të saj. Në këtë aspekt, Kryeministri u shpreh se gjuha shqipe është lëndë lider dhe nuk mund të vazhdojë të jetë e përfshirë së bashku me letërsinë, duke kërkuar ndarjen përfundimtare të saj nga letërsia. “Nëse i përmbahemi konceptit gjuhë – letërsi, ne nuk bëjmë as gjuhë e as letërsi. Unë jam një admirues i letërsisë, por natyrisht ajo nuk mund të dëmtojë dhe nuk mund t’i marrë gjuhës as edhe një rrokje të vetme, as edhe një minutë të vetme nga programi”, u shpreh Kryeministri.
Lidhur me këto çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të hënën që vjen, në Shqipëri hapet viti i ri shkollor. Mbi 650 mijë nxënës, vogëlushë, gjimnazistë, studentë e studente, nisin vitin e ri shkollor në mbarë vendin. Në emër të qeverisë, dua t’u uroj të gjithë nxënësve të vendit një vit të mbarë dhe plot suksese. I garantoj nxënësit e mësuesit se për qeverinë, arsimi mbetet çështja më serioze, më e rëndësishme, më kryesore. Shkollimi i fëmijëve tanë është dhe do të jetë përparësi mbi çdo përparësi tjetër.
Me gjithë problematikën që ekziston, është arritur progres i prekshëm. Sot ka një trupë pedagogjike të vendosur dhe të përkushtuar, për të konsoliduar më tej arsimimin e fëmijëve, shkollimin e tyre, rritjen gjithnjë e më të madhe të cilësisë së mësimdhënies. Sot, kjo trupë pedagogjike, e vetëdijshme për misionin e saj të jashtëzakonshëm, shumë të rëndësishëm, por natyrisht, e vetëdijshme edhe për vlerësimin maksimal që i është bërë gjatë këtyre viteve, plotësisht të merituar, ka të gjithë vullnetin për të ecur vendosmërisht drejt cilësive të reja në fushën e arsimin dhe në arsimimin e fëmijëve tanë.
Sot, mësuesit në mbarë vendin shpërblehen me një rrogë mujore rreth 120 për qind më të madhe se ajo që merrnin në fillim të vitit 2006. Në asnjë vend nuk ka ndodhur një rritje kaq e shpejtë dhe e madhe e rrogave në sistemin e arsimit, një zhvendosje e tillë e merituar e këtij sistemi, në shkallaren e rrogave, siç ka ndodhur në Shqipëri. Unë dua të garantoj arsimtarët dhe mësuesit se do të bëjmë gjithçka për kushte sa më optimale dhe, në mënyrë të vazhdueshme, do të rrisim rrogat, do të modernizojmë shkollat, ashtu siç kemi bërë deri sot. Janë ndërtuar e rindërtuar mbi 1400 shkolla në mbarë vendin, janë pajisur me laboratorë modernë dhe sot, në çdo shkollë ka internet.
Nxënësit e vendit, fëmijët e Shqipërisë, fillojnë vitin e ri shkollor, pasi të gjithë ata të cilët janë në nevojë, marrin librat falas që ditën e parë, ose me rimbursim 100 për qind. Kështu, nxënësit romë që vijojnë arsimin e detyruar, marrin falas të gjithë paketën e teksteve, që ditën e parë të shkollës.
Përfitojnë kompensim një qind për qind të shpenzimeve për blerjen e teksteve shkollore; nxënësit që kanë probleme me dëgjimin dhe shikimin; nxënësit që vijnë nga familjet e pakicave kombëtare; nxënësit që vijnë nga rreth 100 mijë familje që trajtohen me ndihmë ekonomike; nxënësit që vijnë nga familje që kanë në përbërjen tyre anëtarë me aftësi të kufizuar të dokumentuar nga kemp-et; nxënësit që kanë në familjet e tyre kryefamiljarë me pension invaliditeti nga shteti, ose që vijnë nga familje ku kryefamiljari është pensionist për rrethana të caktuara; fëmijët e grave kryefamiljare që mbajnë familjet pa burrin e tyre. Rimbursohen në masën 50 për qind tekstet për të gjithë punonjësit buxhetorë e jo buxhetorë të sipërmarrjeve publike, apo kompanive ku shteti është aksionerë, por që kanë një pagë bruto nën 30 mijë lekë. Fëmijët e emigrantëve të diasporës marrin falas tekstet për mësimin plotësues.
Këto janë ato kategori të përzgjedhura dhe që janë në nevojë për t’u ndihmuar dhe ky proces po ecën sipas përcaktimeve ligjore.
Zoti ministër,
Është i një rëndësie kapitale për shkollën tonë kurrikula e gjuhës shqipe. Ne mënyrë të përsëritur është kërkuar dhe insistohet që kjo kurrikul të transformohet tërësisht. Gjuha shqipe duhet të shtrihet në të gjithë ciklin, po të jetë e mundur edhe në ciklin parashkollor, me elementët më fillestar të saj. Kjo kërkon dy gjëra; së pari, shmangien tërësisht të metodës klasike të mësimit të saj dhe kalimin e mësimit të saj me rrokëzim. Ata të cilët qëndrojnë më lart në mësimin e gjuhës së tyre, ata kanë aplikuar prej kohësh metodën e rrokëzimit.
Së dyti, gjuha është lëndë lider dhe nuk mund të futet në sqetullën e letërsisë dhe unë kërkoj ndarjen përfundimtare të saj nga letërsia. Ne në shkollë duhet të kemi dy shtylla kryesore; gjuhën dhe matematikën. Por, nëse i përmbahemi konceptit gjuhë – letërsi, nuk bëjmë as gjuhë e as letërsi. Ndaj duhet të hyjnë sa më shpejt kurrikulat e reja. Problemi është këtu se ata të cilët i hartojnë ato, ata kanë në mendjen e tyre skemat klasike, sepse janë bërë ndoshta kaq shumë dekada ku gjuha mbështillet me letërsinë. Unë jam një admirues i letërsisë, por natyrisht nuk mund të dëmtojë dhe nuk mund t’i marrë gjuhës as edhe një rrokje të vetme, as edhe një minutë të vetme nga programi. Edhe mësuesit duhet të rikualifikohen. Ndaj, në qoftë se ka një divorc pozitiv, të sigurt në të gjitha aspektet, është ky; Gjuha më vete dhe letërsia më vete. Ky bashkim, e ka dëmtuar gjithë këto dekada gjuhën, që është, pas AND-së, elementi më thelbësor i identitetit tonë kombëtar. Dy shtylla janë; AND-ja dhe gjuha.
Duke uruar edhe njëherë nxënësit, vogëlushët që nisin klasën e parë, për një vit të mbarë shkollor, le t’i sigurojmë ata, mësuesit e prindërit e tyre, se për qeverinë tonë, arsimi do mbetet përparësia më absolute të gjitha përpjekjeve për zhvillimin e këtij vendi”
05/09/2012