E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një delegacion kulturor japonez të kryesuar nga zonja Mika Mori

Kryeministri Berisha priti sot në takim një delegacion kulturor japonez të kryesuar nga zonja Mika Mori, që ndodhet në Shqipëri në kuadër të shkëmbimit kulturor mes dy vendeve. 

Ky delegacion është ftuar për këtë vizitë në Shqipëri nga fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”.  Gjatë ditëve të vizitës së tij në Shqipëri, delegacioni kulturor japonez do të prezantojnë traditën, kulturën dhe kostumografinë japoneze në vendin tonë.

Duke falenderuar Kryeministrin Berisha për takimin anëtaret e delegacionit japonez u shprehën të impresionuara nga zhvillimet në Shqipëri dhe vlerësuan shumë pozitivisht modernizimin e vendit.

Kryetarja e delegacionit japonez, Mika Mori tha se shkëmbimi i vizitave mes dy vendeve është shumë i rëndësishëm për njohjen dhe promovimin e kulturave respektive dhe për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

Nga ana e tij Kryeministri Berisha duke falenderuar anëtaret e delegacionit japonez për vizitën shprehu mirënjohjen për qeverinë dhe popullin japonez për mbështetjen që ata i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve me projekte duke veçuar kredinë prej 110 milionë dollarësh për kanalizimet e Tiranës si dhe projektet në shëndetësi, bujqësi, infrastrukturë dhe fusha të tjera.
Jam i bindur tha Kryeministri Berisha, se bashkëpunimi i shkëlqyer politik që ekziston ndërmjet dy vendeve do të vijë duke u zgjeruar.  

Kryeministri Berisha e njohu delegacionin japonez me përpjekjet e qeverisë shqiptare për ta shndërruar Shqipërinë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë, dhe për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe shfrytëzimin sa më të mirë të potencialeve që ajo ka. 

 Gjithashtu gjatë takimit u vlerësua harmonia dhe toleranca ndërfetare që Shqipëria reflekton duke u shndërruar në këtë mënyrë në një model për të gjithë botën.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›