E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret ekipin kombëtar të basketbollit të meshkujve

Kryeministri Berisha priti sot në mesditë, ekipin kombëtar të basketbollit të meshkujve, në prag të ndeshjes për eliminatoret e kampionatit europian të basketbollit. Duke shprehur kënaqësinë e këtij takimi, Kryeministri i uroi suksese ekipit tonë kombëtar në ndeshjen e sotme, me shpresën se kjo ndeshje do të jetë një start i mirë për ndeshjet në vazhdim.

Përfaqësuesit e ekipit kombëtar e falënderuan Kryeministrin për këtë pritje të ngrohtë dhe u shprehën se do të bëjnë më të mirën për ta përfaqësuar denjësisht basketbollin shqiptar dhe për të arritur rezultate të mira. Kapiteni i ekipit i bëri një prezantim të shkurtër anëtarëve të tij, duke bërë të njohur se një pjesë e ekipit janë pasardhës të emrave të njohur të basketbollit shqiptar.

Kryeministri Berisha shprehu besimin se ky ekip do të dijë të japë vlerat më të mira dhe traditën e këtij sporti në Shqipëri. “Kam besimin që në këtë kampionat do të shënoni arritje të mëdha. Mënyra serioze me të cilën keni punuar, kombinimi i skuadrës, stërvitja rigoroze janë prerogativa për të pasur sukses”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha siguroi se mbështetja ndaj sporteve është në vëmendjen e qeverisë dhe për këtë, u shpreh Kryeministri, i kam kërkuar vazhdimisht Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve një vëmendje konstante për zhvillimin e sportit në përgjithësi.

Në përfundim të takimit, ekipi kombëtar i basketbollit i dhuroi Kryeministrit flamurin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, një bluze të ekipit tonë kombëtar, si dhe një top basketbolli, i cili mbante firmat e të gjithë pjesëtarëve të ekipit.


08/08/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›