Kryeministri Berisha pret fotografin e mirënjohur amerikan, me origjinë hebre, z. Norman Gershman
Kryeministri Berisha priti sot pasdite në një takim fotografin e mirënjohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me origjinë hebre, z. Norman Gershman, i cili ka çelur në Shqipëri ekspozitën e titulluar “Besa, shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, organizuar me mbështetjen e Ambasadës amerikane në Tiranë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Në këtë takim, ishin të pranishëm dhe z. Flamur Gashi, Drejtor i Institutit Kombëtar të Diasporës Shqiptare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe përfaqësuesit e Shoqatës Panshqiptare VATRA, znj. Majlinda Myrto, z. Sejdi Hysenaj dhe z.Kastriot Gramshi.
Ekspozita përmban 60 punime fotografike dhe ajo është paraqitur në Amerikë dhe Izrael, ndërkohë që në mars të këtij viti do të paraqitet në Kosovë dhe në muajt në vijim, edhe në disa kryeqytete të botës, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Diasporës Shqiptare në MPJ, Shoqatën Panshqiptare VATRA dhe zotin Gershman.
Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen fotografit të mirënjohur Gershman, i shprehu atij mirënjohjen për këtë iniciativë shumë të rëndësishme, duke e vlerësuar atë si një projekt madhor që ndihmon dhe forcon imazhin e Shqipërisë në botë, duke dokumentuar të vërtetën historike të ndihmës së shqiptarëve për hebrenjtë e strehuar në Shqipëri. Kryeministri tha se, krahas institucionit të besës, një nga virtytet e mëdha të kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet harmonia ndërfetare dhe ndëretnike e shqiptarëve.
Nga ana e tij, fotografi i mirënjohur me origjinë hebre, z.. Norman Gershman, falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit Berisha personalisht për hapjen e ekspozitës në Shqipëri. Ai theksoi se në këtë ekspozitë është përpjekur të dokumentojë shumë familje shqiptare që kanë mbështetur dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se përmes saj, falënderon gjithë shqiptarët për këtë ndihmë të çmuar.
11/02/2009