Kryeministri Berisha pret ministrin e Jashtëm të Kroacisë, zotin Gordan Jandrokoviç
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, zotin Gordan Jandrokoviç.
Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen zotit Jandrokoviç, ndërsa vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve, si dhe progresin shumë të mirë në bashkëpunimin ekonomik.
Kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm kroat Jandrokoviç shprehën vlerësimin e lartë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, nga të dy vendet. Kryeministri Berisha tha se marrja e ftesës është një moment historik . Ministri i Jashtëm kroat u shpreh se të dy vendet po ecin në të njëjtën rrugë dhe kanë të njëjtin qëndrim e dëshirë për integrimin e të dy vendeve në Bashkimin Evropian dhe për t’i bërë ato më të zhvilluara.
Kryeministri Berisha e njohu ministrin e Jashtëm të Kroacisë me zhvillimet në vend. Kryeministri vuri në dukje arritjet konkrete të qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend, forcimin e shtetit ligjor dhe reformën në drejtësi, klimën pozitive të bashkëpunimit me opozitën për shumë çështje, reformat ekonomike përmes politikave të uljes së taksave, prokurimet elektronike, taksat dhe doganat elektronike, nismën “one stop shop” për regjistrimin e biznesit, reduktimin e lejeve dhe licencave dhe digjitalizimin e tyre, etj.
Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për të krijuar një klimë sa më të favorshme dhe mbështetëse për biznesin e huaj dhe atë vendas. Në këtë drejtim, ai nënvizoi se po shihen të gjitha mundësitë për t’i dhënë një shtysë te re shkëmbimeve ekonomike dhe nxitjes së investimeve kroate në vendin tonë.
Të dy personalitetet diskutuan edhe për zhvillimet në rajon, veçanërisht për Kosovën, duke theksuar se Serbia duhet ta kuptojë realitetin e ri të Kosovës së pavarur.
Ministri i Jashtëm i Kroacisë vlerësoi se kjo vizitë e tij në Tiranë është një hap tjetër përpara në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve. Ai i përcolli Kryeministrit urimet e përzemërta të Kryeministrit kroat Ivo Sanader. Gjithashtu, zoti Jandrokoviç shprehu gatishmërinë e Kroacisë për të thelluar bashkëpunimin e gjithanshëm, veçanërisht në proceset integruese të vendit tonë. Integrimi evropian, theksoi ai, është një proces i pashmangshëm për zhvillimin e të gjithë shoqërive dhe nuk ka alternativë tjetër. Në këtë aspekt, edhe Kryeministri Berisha u shpreh se ndihma dhe asistenca e Kroacisë në procesin e integrimit evropian është shumë e rëndësishme.