E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Turi “Shqipëria në NATO”; sukses i madh i projekteve tona të investimeve

-          Reformat e suksesshme, faktor kryesor në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO

Gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të partisë Demokratike, Kryeministri Berisha i njohu deputetët me  disa nga aspektet kryesore të turit të tij “Shqipëria në NATO”. Ky tur, tha Kryeministri, ka si qëllim kryesor ndarjen e gëzimit dhe kënaqësisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, me qytetarët shqiptarë, por edhe analizën e shkaqeve, faktorëve dhe reformat që bënë të mundur këtë ftesë, të cilat kanë pasur dhe kanë një impakt shumë pozitiv. “Kjo nuk mund të ishte ndryshe, në një shoqëri dhe në një komb që ka mbështetjen më të lartë në Evropë për anëtarësimin e vendit të tyre në NATO”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri u shpreh i kënaqur nga suksesi i investimeve të bëra nga qeveria në shumë zona. “Ajo çka konstatoj dhe që është realisht shumë pozitive, është suksesi i paprecedentë dhe spektakolar i projekteve tona të investimeve, projekte këto që e kanë shndërruar vendin, veçanërisht në rrjetin rrugor te tij, në një kantier që nuk është njohur kurrë më parë, në një perceptim të thellë të qytetarëve për këto vepra të mëdha”, vijoi Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri theksoi në këtë tur kishte vënë re faktin se janë qindra e qindra projekte nga fondet e kësaj qeveri, dërguar qeverive vendore, të realizuara në mënyrë të shkëlqyer. “Mund të themi me bindje të plotë se Shqipëria rurale po kthehet hap pas hapi nga Shqipëria e baltës dhe e çakullit, në Shqipëri të asfaltit. Nuk janë 1 mije apo 2 mijë kilometra këto rrugë që po ndërtohen, por së bashku me rrugët dytësore në qytete janë 12 mijë kilometra”, tha kryeministri.

Në këtë drejtim, Kryeministri bëri një përmbledhje të zonave, komunave dhe fshatrave të vizituara prej tij, duke u shprehur:

“Vizitova para 4 ditësh Peqinin. Deputeti i Peqinit, zoti Sula, më informoi se deri në vitin 2005 nuk ka pasur asnjë kilometër rrugë fshati të asfaltuar. Unë shkova në 3 qendra komunash dhe në fshatrat e këtyre komunave, me rrugë të asfaltuara të standardeve më të mira. Gjithashtu, unë isha edhe në Krutje, i shoqëruar me deputetin Bano dhe pamë së bashku nga afër se çfarë investimesh të mëdha po bëhen. Edhe deputeti i zonës, i cili është edhe promotor i këtyre investimeve në atë zonë, u befasua. Rrug Fiershegan – Pushimi i Shoferit ishte e një standardi ndërkombëtar, rrugë të cilën  2 vjet e gjysmë më parë e kemi përshkruar së bashku me deputetin me fuoristradë, pasi kalohej me vështirësi. Inauguruam ujësjellësa, të cilët përmirësojnë ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm për rreth 60 mijë banorët e kësaj zone”, nënvizoi Kryeministri.

E gjithë kjo panoramë ka dy aspekte të rëndësishme; E para vërteton vendimin e drejtë të qeverisë për dy –tre-katërfishuar fondet për qeverisjen vendore dhe e dyta, zhvillimin e kapaciteteve të qeverive vendore për t’i zbatuar projektet. Kur them se, nga Shqipëria e çakullit kemi kaluar te Shqipëria e asfaltit, jam sërish i vetëdijshëm se janë edhe mijëra e mijëra kilometra ende pa u ndërtuar, por e rëndësishme është që paratë po shkojnë jo më për çakull, por për asfaltim shumë të mirë të rrugëve tona. Këtë situatë e gjeta kudo, ne çdo qytet që kam shkuar. Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm pozitiv.

Në këtë kontekst, për të dalë nga Shqipëria e baltës, në qershor nis projekti i rrugëve dytësore, me 410 milionë euro. Në këtë projekt janë përfshirë të gjitha qarqet, edhe ato me rrugë bujqësore, edhe ato me rrugë turistike të zonës. Por nuk ka mbetur asnjë qark jashtë kësaj pakete.  Pas këtyre 10 projekteve të parë do të jenë projektet e dyta dhe kështu me radhë.

Sado që Shqipëria rurale mund të dojë miliarda, sërish këto investime janë të mundshme dhe kam shumë kënaqësi që Shqipëria rurale po ecën.

Banorët e Grabianit, kishin 70 vjet që prisnin asfaltimin e rrugës së tyre, ndërkohë që në shkova aty përmes një rruge të standardeve më të mira. Lagjja themeluese e Gramshit kishte 40 vjet në baltë, ndërkohë që unë, në vizitën time në këtë qytet inaugurova asfaltimin dhe sistemimin e saj. Isha gjithashtu në Topojë, në një krahinë që më thanë se nuk ka shkelur ndonjëherë ndonjë kryeministër dhe u ndjeva shumë i nderuar që isha i pari që shkoja aty. Inauguruam rrugën, ujësjellësin, qendrën komunitare aty. Edhe në Gramash inauguruam rrugën që lidh Pishaj me Gramshin, e cila ishte ndërtuar sipas standardeve më të mira. Takova kryetarin e komunës së Poroçanit, i cili më tha se asnjë rrugë nuk e lidhte këtë zonë me rrugën kombëtare. Unë porosita që menjëherë të merren masat për projektin dhe ta realizojmë këtë rrugë, duke u lehtësuar jetën banorëve të kësaj zone.

Po kaq pozitiv është fakti që unë, kudo që shkoj, konstatoj se ka një vlerësim nga të zgjedhurit vendor për këto investime, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake. Ata e kanë kuptuar që në qeverisjen vendore ka vetëm një ngjyrë, ajo e qytetarit dhe interesave të tij. Në këtë partneritet ngjallet një besim i madh. Takova kryetarë të qeverisjeve vendore të cilët më tregonin se i kishin fituar projekte të ndryshme për zonën e tyre me konkurrim, duke paraqitur projektin më të mirë. Pa lëvizur këto institucione nuk mund të lëvizë Shqipëria. 

Unë këtë tur do ta vazhdoj dhe ai ndalet në zgjedhjet e ardhshme, në qershorin që vjen. Ajo që konstatoj me shumë kënaqësi, është përgjegjshmëria e lartë e qeverive vendore në zbatimin, kontrollin dhe cilësinë e projekteve.

Shfrytëzoj rastin t’ju bëj thirrje kryetarëve të  komunave të vendit që kanë probleme të mprehta për të zgjidhur, t’i drejtohen qeverisë. Unë i marr mesazhet e tyre dhe jam i gatshëm t’i takoj dhe t’i dëgjoj ata. Jam i prirur të bashkëpunoj ngushtësisht me ta, sepse ndihem shumë i inkurajuar nga takimet me ta. Unë i ftoj ata që, ashtu siç u kisha kërkuar të hiqnin dorë nga shtrimi i rrugëve me çakull sepse qeveria që unë drejtoj nuk ka për të dhënë një qindarkë për këtë gjë, tani, pra i ftoj ata që të mos i copëzojnë projektet, por atë që të fillojnë ta përfundojnë. Ata duhet të paraqesin projekte që nisin dhe përfundojnë brenda vitit, duhet të përcaktojnë përparësitë. Vitin tjetër, le të realizojnë projektin tjetër, e kështu me radhë”.                     

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›