E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Drejtorin e Përgjithshëm të Lockheed Martin, z Patrick Buckley

Kryeministri Berisha priti sot Drejtorin e Përgjithshëm të Lockheed Martin në Shqipëri, z. Patrick Buckley dhe përfaqësues të tjerë të kësaj kompanie.
Z. Buckley i prezantoi Kryeministrit Berisha rezultatet e projekteve që kjo kompani po implementon në Shqipëri për mbikqyerjen dhe modernizimin e hapësirës ajrore mbi tokën dhe mbi ujërat territoriale shqiptare. Këto projekte në stadin aktual të zhvillimit janë shumë të rëndësishëm sepse lidhen me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO dhe integrimin në BE. Projekti për modernizimin e hapësirës mbi ujërat territoriale është në përfundim dhe po testohet , ndërsa produkti i tij pritet në fund të vitit 2008.
Në projektin tjetër për modernizimin e hapësirës ajrore mbitokësore po punon një ekip ndërkombëtar nga SHBA, Spanja dhe shtete të tjera. Mbyllja me sukses e fazës së parë të këtij projekti e bën kompaninë Lockheed Martin të prezantojë projektin për fazën e dytë që lidhet me modernizimin e trafikut ajror nëpërmjet vendosjes së një radari të ri civil dhe ushtarak si dhe instalimin e linjave dhe frekuencave të veçanta.
Kryeministri Berisha falenderoi dhe përgëzoi përfaqësuesit e kompanisë për suksesin e projektit të parë dhe u premtoi atyre mbështetje për projektin e dytë sipas legjislacionit shqiptar. Kryeministri vlerësoi kontributin e kësaj kompanie me emër në këtë fushë dhe garantoi të njëjtën atmosferë biznesi sikurse në projektin e parë.                 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›