Kryeministri Berisha: Në qershor nis projekti prej 410 milionë euro për rrugët dytësore
Kryeministri Berisha, u shpreh sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike se, për të dalë përfundimisht nga Shqipëria e baltës, në qershor nis projekti për ndërtimin e rrugëve dytësore, me vlerë 410 milionë euro.
Në këtë projekt, tha Kryeministri, janë përfshirë të gjitha qarqet, edhe ato me rrugë bujqësore, edhe ato me rrugë turistike të zonës. Por, siguroi ai, “nuk ka mbetur asnjë qark jashtë kësaj pakete”.
Gjithashtu, Kryeministri tha se pas këtyre 10 projekteve të parë, do të jenë edhe projekte të dyta, e kështu me radhë. “Sado që Shqipëria rurale mund të dojë miliarda, sërish këto investime janë të mundshme dhe kam shumë kënaqësi që Shqipëria rurale po ecën”, u shpreh Kryeministri.