Kryeministri Berisha takon Administratorin e kompanisë ENEL, Fulvio Konti
Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të përfaqësuesve të kompanisë ENEL, të kryesuar nga Administratori i kësaj kompanie Fulvio Konti. Grupi ENEL i prezantoi Kryeministrit Berisha projektin për ngritjen e një TEC-i me kapacitet nga 600-1400 megavat në zonën e Porto Romanos. Gjithashtu përfaqësuesit e këtij grupi i paraqitën Kryeministrit Berisha projektin për ndërtimin e një porti në zonën e Porto Romanos.
Delegacioni i ENEL shprehu gjithashtu interes për privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së KESH dhe ofroi bashkëpunimin e kësaj kompanie në realizimin e projektit afatgjatë bërthamor.
Vizita e përfaqësuesve të kompanisë ENEL bëhet në vazhdën e vizitave të mëparshme që përfaqësuesit e kësaj kompanie kanë bërë në Shqipëri për finalizimin e projektit për ndërtimin e TEC-it. Teknologjia e propozuar është e niveleve më të avancuara që eleminon ndotjen lokale.
Kryeministri Berisha pasi i falenderoi përfaqësuesit e ENEL për punën e bërë në drejtim të këtij investimi në fushën e energjisë, i siguroi ata se qeveria do të analizojë dhe mbështesë konform ligjeve në fuqi dhe parimeve të mbrojtjes së mjedisit.
Kryeministri Berisha tha se ambienti është në qendër të vëmendjes të projekteve që qeveria aprovon.
Gjithashtu Kryeministri Berisha i siguroi përfaqësuesit e kompanisë ENEL për mbështetjen dhe bashkëpunimin për propozimet e tjera që kjo kompani prezanton në fushën e energjisë.