Kryeministri Berisha pret ministrin e Shëndetësisë të Maqedonisë Imer Selmani
Kryeministri Berisha priti sot në takim Ministrin e Shëndetësisë së Maqedonisë Imer Selmani.
Kryeministri Berisha dhe ministri Selmani vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe u ndalën veçanërisht në zgjerimin e bashkëpunimit midis institucioneve shëndetësore të të dy vendeve. Kryeministri Berisha e konsideroi vizitën e ministrit të rëndësishme në këtë drejtim.
Kryeministri Berisha dhe ministri Selmani theksuan se prioritetet e të dy vendeve janë integrimi në NA dhe BE, duke u shprehur për një bashkëpunim të ngushtë në funksion të realizimit të këtyre objektivave madhorë.
Duke u ndalur në zhvillimet e fundit në Maqedoni, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare mbështet respektimin e marrëveshjes së Ohrit dhe nevojën e bashkëpunimit mes forcave politike shqiptare për gjetjen e zgjidhjeve që evitojnë dhunën në rajon. Kryeministri tha se rajoni është nën vëzhgimin e institucioneve ndërkombëtare dhe duhet të jetë shembull bashkëpunimi paqësor ndërmjet vendeve dhe popujve të tij. Kryeministri i bëri thirrje partive politike të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të evituar situata tensionuese në të ardhmen.
Ministri Selmani falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë inkurajimit të dialogut politik mes partive politike shqiptare në Maqedoni. Ai i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e Kryeministrit Nikola Gruevski dhe konsideratat e tij për bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve.