uml; mbledhjen e sotme të qeverisë do të marrim në shqyrtim vendime jashtëzakonisht të rëndësishme. Ne vendosim sot për të përcaktuar autoritetin kontraktues për dhënien me koncesi
“Në mbledhjen e sotme të qeverisë do të marrim në shqyrtim vendime jashtëzakonisht të rëndësishme. Ne vendosim sot për të përcaktuar autoritetin kontraktues për dhënien me koncesion të hidrocentralit Skavica, në lumin Drini i Zi dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë.
Pas Devollit, ne miratojmë projektin e dytë të madh, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, që do të jetë HEC-i më i madh që do të ndërtohet në Shqipëri. Me projektin që ka dorëzuar, kompania ka arritur të projektojë përfitimin me digën e vogël të të njëjtës sasi energjie që do të përfitohej nga diga madhe, e cila përmbyste tokat deri në territorin e Maqedonisë. Ky është një zhvillim shumë pozitiv, i cili bazohet në aplikimin tuneleve dhe vendosjen e të gjitha makinerive në dalje të tuneleve që shkojnë deri në fund të liqenit të Fierzës dhe rritur në mënyrë thelbësore rendimentin, duke bërë të mundur që vetëm nga ky hidrocentral, me vendosjen e të gjitha turbinave, të merren 550 megavat energji. Me këtë vendim, qeveria kalon në tender ndërkombëtar ndërtimin e këtij hidrocentrali. Kompania që merr bonusin, ka kohë që punon në projektet e saj.
Gjithashtu projekte të tjera të mëdha janë në përgatitje. Një gjë është e sigurt se, në qoftë se ky proces u bllokua për 10 vjet, sepse interesi nuk ishte përqendruar tek burimet, por tek importi, qeveria po bën çdo përpjekje për shtimin sa më të shpejtë të burimeve energjetike. Së shpejti në qeveri do të kalojë hidrocentrali i Ashtës, projekti i të cilit u rishikua në përputhje me të gjitha kushtet, pas modifikimeve të bëra nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, apo dega tregtare e Bankës Botërore, që ndërmori atje studimin më të hollësishëm të mjedisit.
Por, në rast se Skavica parashikon një investim prej rreth 600 milion euro, qeveria miraton sot edhe një investim tjetër madhor në disa qindra milion euro, dhënien e lejes koncesionare konsorciumit “ASG Power” për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Italisë, lidhjes elektrike të Semanit me Foxhan. Me vendimin e sotëm qeveria kompleton të gjithë kuadrin dhe dokumentacionin për fillimin e punimeve në parkun energjetik të Semanit, i cili, krahas Porto Romanos, do të jetë një nga dy parqet më të madhe energjetike të vendit.
Sot, shqyrtojmë edhe një vendim tjetër shumë të rëndësishëm, të cilin do ta krahasoja për nga rëndësia me atë që kanë kartat e identitetit për qytetarët, kasat regjistruese për biznesin, ID-në moderne të biznesit. Ministria e Financave dhe autoriteti i tatimeve kanë studiuar eksperienca të suksesshme të vendeve të ndryshme, standarde të vendeve të BE-së dhe kanë bërë të gjitha rregullimet e domosdoshme ligjore për aplikimin e sistemit të kasave “on line”, sistemi më modern, më i saktë dhe i domosdoshëm. Në këtë mënyrë, ne vendosim faturën elektronike shumë të domosdoshme, bëjmë një përpjekje të madhe në transparencën e të gjitha proceseve, sikundër vendosim një standard të domosdoshëm të shërbimit të kulturuar në të gjitha njësitë e vogla, të mesme dhe të mëdha tregtare të vendit. Me ketë hap, i shoqëruar nga një punë e madhe paraprake e përgatitjes së të gjitha prerogativave, udhëzimeve dhe akteve ligjore e nënligjore, shënojmë një përpjekje të madhe për modernizimin e sistemit dhe arritjen në moshën digjitale.
Po ashtu, sot marrin disa vendime të rëndësishme për të hapur përfaqësitë tona diplomatike në Slloveni dhe Indi. Sllovenia është një vend tradicionalisht mik i shqiptarëve dhe Shqipërisë, me shkëmbime të mëdha në rritje dhe anëtar i Bashkimit Europian, që merr kryesinë e radhës së BE-së.
Ne vendosim edhe hapjen e ambasadën tonë në New Delhi, Indi. Lidhjet tona me këtë vend janë jashtëzakonisht miqësore. India është një komb e vend i madh, një nga qytetërimet më rrezatuese që, ndër thesaret më të çmuara shpirtërore në historinë e saj, i ka me origjinë shqiptare. Nënë Tereza e Kalkutës, e tillë është e njohur ajo në botë, sepse shkriu të gjithë energjitë e saj në ndihmë të qytetarëve në nevojë të këtij qyteti dhe vendi të madh. Qeveria shqiptare ka nisur negociatat me qeverinë indiane për rikthimin e Nënë Terezës pranë nënës dhe motrës së saj, në Tiranë. Ne do ta vazhdojmë këtë përpjekje, të vetëdijshëm se ajo është një trashëgimi e jashtëzakonshme e këtij vend të madh. Me punën dhe veprimtarinë e saj, ajo u bë, pas Mohatma Gandhi-t, ndoshta njeriu më popullor i atij vendi. Së dyti, na lidh Taj Mahali, një nga mrekullitë e arkitekturës njerëzore. Çdo indian e di se arkitekti i këtij tempulli mahnitës ishte Mehmet Mokrari, shqiptari nga Mokra. Kjo është e vërteta e Taj Mahalit. India, çdo ditë e më shumë, bëhet një fuqi e madhe teknologjike në botë. Hapja e ambasadës atje mund të jetë e vonuar, por unë jam shumë i kënaqur që ne po hapim përfaqësinë tonë në këtë vend të madh.
Ne do ta zgjerojmë shërbimin e jashtëm diplomatik dhe projektet tona janë Lisbona, Helsinki, Oslo, Estonia. Ne po përpiqemi të bëjmë një reformë të thellë në shërbimin tonë të jashtëm, me numrin më modest të përfaqësive, të mund të krijojmë eficencën më të madhe. Sikundër Ministria e Jashtme do t’u kërkojë vendeve mike që, në disa zona, të bashkëngjisim pranë ambasadave të tyre përfaqësuesit tanë. Kjo është një praktikë tashmë e zakonshme edhe në disa vende të BE-së, në mënyrë që të jemi të pranishëm me sa më pak shpenzime, për shkak të buxhetit tonë modest.
Mbledhja e sotme ka një agjendë jashtëzakonisht të ngjeshur, janë edhe një seri marrëveshjes dhe vendimesh si reforma përfundimtare e Akademisë së Shkencave, strategjia kombëtare e zhvillimit, strategjia e mbrojtjes së vendit, të mbrojtjes së konsumatorit, të zhvillimit të qëndrueshëm rurale etj.. Një vendim tjetër i rëndësishëm është ai për ujësjellësin e Vlorës me vlerë 25 milion euro, kontribut i qeverisë holandeze.”