Kryeministri Berisha mirëpret kryeministrin e Islandës, zotin Geir H. Haarde

- Nënshkruhen marrëveshjet midis Republikës së Shqipërisë dhe Islandës për “Ripranimin e personave të paautorizuar” dhe për “Lehtësimin e regjimit të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe Islandës”.
- Kryeministri islandez premton ratifikimin brenda këtij viti, nga ana e Islandës, të Protokollit për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
- Shqipëria dhe Islanda mundësi të shumta bashkëpunimi në fushën e turizimit, energjitikës dhe farmaceutikës.
Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim Kryeministrin e Islandës zotin Geir H. Haarde. Duke i uruar mirëseardhjen në Shqipëri, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vizitë e parë historike e kryeministrit të Islandës do të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve.
Pasi kanë vlerësuar nivelin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Islandës, në projekte të ndryshme ndërkombëtare, të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se nënshkrimi i sotëm i dy marrëveshjeve të rëndësishme mes vendeve, si dhe përgatitja e disa marrëveshjeve të tjera, do të krijojnë një bazë të shkëlqyer solide, ligjore të bashkëpunimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në takimin e zhvilluar mes dy delegacioneve, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e thellë Kryeministrit të Islandës Haarde dhe qeverisë islandeze për mbështetjen e madhe që dhanë për marrjen e ftesës, nga ana e Shqipërisë, për anëtarësim në NATO, si dhe për faktin e rëndësishëm se qeveria islandeze do të ratifikojë në muajt që do të vijnë protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Më pas, biseda u përqendrua në mundësitë e shumta të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria ofron potenciale të rëndësishme, per tu shfrytëzuar, nga investitorët islandezë, si në fushën e turizmit, energjetikës, shëndetësisë, etj. Më tej, Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare do të mirëpresë kompanitë islandeze të cilat do të investojnë në burimet ujore të Shqipërisë apo dhe në të gjitha fushat me interes për ta, duke iu ofruar atyre mbështetje dhe lehtësira.
Nga ana e tij, kryeministri i Islandës, zoti Haarde duke falënderuar Kryeministrin Berisha për ftesën, shprehu kënaqësinë që ndodhej në Shqipëri.
Duke vlerësuar pozitivisht zhvillimet e Shqipërisë në vitet e fundit, kryeministri Haarde theksoi se qeveria e Islandës është shumë e interesuar për të forcuar edhe më tej lidhjet mes dy vendeve. Për sa i përket ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Kryeministri Haarde siguroi se parlamenti i Islandës do ta ratifikojë atë brenda fundit të vitit.
Më tej, të dy personalitetet diskutuan për zhvillimet më të fundit në rajonin tonë, duke ndarë të njëjtin mendim se zgjidhja e problemeve ekzistuese përmes dialogut është shumë e rëndësishme. Duke përfituar nga rasti, kryeministri Berisha i rishprehu Kryeministrit islandez mirënjohjen për vendimin e qeverisë islandeze për njohjen e Kosovës.
Ndër të tjera, të dy personalitet diskutuan për situatën më të fundit në Gjeorgji dhe pasojat e agresionit rus në këtë vend.
Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Islandës Geir. H Haarde nënshkruan marrëveshjet midis Republikës së Shqipërisë dhe Islandës për “Ripranimin e personave të paautorizuar” si dhe Marrëveshjen për “Lehtësimin e regjimit të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe Islandës”.
Në përfundim të dy personalitetet dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.