Kryeministri Berisha pret një delegacion nga Shoqata e Veteranëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës

Kryeministri Berisha priti një delegacion nga Shoqata e Veteranëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i saj, zoti Muharrem Xhemajli, të cilët ndodheshin në Shqipëri për të nderuar heronjtë dhe dëshmorët në ditën e 5 Majit.
Kryeministri Berisha shprehu nderimin e thellë për trimërinë, vetmohimin dhe heroizmin e luftëtarëve të UCK-së, duke nënvizuar se shqiptarët përjetësisht u detyrohen atyre, të cilët u treguan të pamposhtur, duke mbrojtur dinjitetin e kombit.
Përfaqësuesit e veteranëve të UCK-së falënderuan Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe i shprehën mirënjohjen e thellë për kontributin e tij, por edhe për kontributin e mbarë shqiptarëve në Pavarësinë e Kosovës.
Gjithashtu veteranët e UCK-së uruan Kryeminstrin Berisha për antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për hapat drejt integrimit në BE.
Më tej, veteranët e UCK-së vlerësuan lart rolin që do të ketë rruga Durrës-Morinë, në lidhjet dhe shkëmbimet mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke falënderuar Kryeministrin Berisha dhe qeverinë për prioritetin që i dha asaj.
07/05/2009