E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një delegacion të Autoritetit Bankar Qendror të Kosovës

Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të Autoritetit Bankar Qendror të Kosovës të kryesuar nga z. Gazmend Luboteni, Kryetar i Bordit të këtij autoriteti. Në përbërje të këtij delegacioni ishin edhe z. Hashim Rexhepi, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Bankar Qendror të Kosovës dhe z.Agron Dida Inspektor i Përgjithshëm.
Kjo shënon vizitën e parë zyrtare të përfaqësuesve të këtij Autoriteti të lartë financiar, i emëruar rishtazi pas krijimit të shtetit të Kosovës. Ata e njohën Kryeministrin Berisha me zhvillimet e fundit në sektorin financiar si dhe perspektivat e reja të bashkëpunimit me sektorin financiar të Shqipërisë të përfaqësuar nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikqyerjes Financiare.
Perspektivat e reja të bashkëpunimit përshijnë kuadrin ligjor, inspektimet e përbashkëta si dhe një sërë projektesh në fushën në fjalë.
Kryeministri Berisha i njohu përfaqësuesit e  Autoritetit Bankar Qendror të Kosovës me kuadrin fiskal dhe monetar të Shqipërisë si dhe tendencën dhe influencën e jashtme në këto sektorë. 
Më tej Kryeministri Berisha i siguroi përfaqësuesit e  Autoritetit Bankar Qendror të Kosovës se qeveria shqiptare do të mbështesë thellimin e bashkëpunimit në të gjitha aspektet dhe do të ndihmojë në perspektivën e projekteve të reja dhe atyre ekzistuese.
Përfaqësuesit e  Autoritetit Bankar Qendror të Kosovës u shprehën se situata makroekonomike dhe performanca e Shqipërisë preken shumë pak nga kriza botërore e naftës dhe ushqimeve. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›