style="FONT-SIZE: 9pt; COLOR: black; FONT-FAMILY: "Arial","sans-serif"; mso-ansi-language: SQ">“Gjatë vizitës time në Bruksel zhvillova disa takime mjaft të rëndësishme. Fillimisht, u takova me

“Gjatë vizitës time në Bruksel zhvillova disa takime mjaft të rëndësishme. Fillimisht, u takova me Kryeministrin e Belgjikës, zotin Ives Leterme, i cili është dhe një mik i imi. Me të diskutova për të gjitha marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona, për zgjerimin e mëtejshëm të tyre, si dhe për inkurajimin e biznesit belg për të investuar në Shqipëri.
Shfrytëzova rastin dhe i shpreha mirënjohjen më të thellë Kryeministrit belg për mbështetjen që Mbretëria e Belgjikës i ka dhënë Shqipërisë, si në procesin e integrimit evropian, ashtu dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
Ives Leterme ishte Kryeministri i parë që më njoftoi për vendimin e marrë darkën e 2 prillit, se Shqipëria do të merrte ftesën për anëtarësim në NATO.
Nga ana tjetër, Kryeministri belg dhe ministri i Jashtëm Karel de Gucht më njoftuan se Belgjika do të hapë konsullatën në Shqipëri, për të lehtësuar udhëtimet e qytetarëve shqiptarë për në Belgjikë. Po ashtu, më njoftuan se kanë ndërmarrë nismën për reduktimin e mëtejshme të tarifave të vizave për qytetarët shqiptarë.
Unë i shpreha mirënjohje të thellë për të gjitha këto dhe kërkova nga Kryeministri Leterme mbështetje për fazën e liberalizimit të plotë të vizave. Gjithashtu, e ftova Kryeministrin Leterme për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi më kënaqësi të veçantë dhe më siguroi se do ta vizitojë vendin tonë.
Pasditen e djeshme, pata një takim shumë miqësor, shumë të përzemërt dhe shumë të rëndësishëm me Presidentin e Komsionit Europian, Jose Manuel Barroso. Presidentin Barroso unë e kam takuar dhe herë të tjera, por këtë radhë ishte takim, së pari, për të paraqitur të gjitha sukseset e reformave të thella dhe të gjithanshme në Shqipëri.
Ju e dëgjuat nëpërmjet mediave, që Presidenti Barroso i vlerësoi këto reforma si impresionuese.
Unë paraqita para Presidentit Barroso të gjitha rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, rezultatet dhe sukseset në luftën kundër korrupsionit, rezultatet në përmirësimin e klimës së biznesit, perspektivat dhe vizionin e qeverisë për etapat e mëtejshme në këtë drejtim.
E njoha Presidentin Barroso me përpjekjet më të thella dhe më serioze, që janë bërë ndonjëherë në këtë vend, për konsolidimin e standardeve të Kopenhagenit, standarde dhe shtylla mbi të cilat qëndron sistemi demokratik.
E njoha Presidentin Barroso me reformën zgjedhore, e cila u miratua në një frymë tepër konsensuale si dhe me reformën konsensuale në sistemin e drejtësisë.
E njoha me vullnetin politik të forcave kryesore të vendit dhe forcave të tjera, për të proceduar pa ndërprerje me reformat, të cilat konsolidojnë demokracinë, shmangin kostot dhe krizat e panevojshme dhe, në mënyrë të veçantë, me epokalin, siç do ta quaja ndryshe, ndryshimin e sistemit zgjedhor, një sistem me të cilin u abuzua dhe u damkos Shqipëria.
Me këto ndryshime ne u ndamë dhe nga neni i krizës, që zgjidhte presidentin e Republikës me 3/5 e votave në Parlament. Ne përcaktuam mandatin për Prokurorin e Përgjithshëm, pasi ishte i vetmi institucion kushtetues për të cilin nuk kishte mandat në Kushtetutë.
Një tjetër temë shumë e rëndësishme në këto bisedime ishte çështja e liberalizimit të vizave, ndaj të cilës shqiptarët janë shumë të ndjeshëm. Unë dhashë të gjitha garancitë - siç dhe ju e dini, sepse jam njeri i fjalës së mbajtur - se ne do të firmosim çdo marrëveshje me secilin vend anëtar të BE-së për të bërë luftën më transparente ndaj krimit të organizuar dhe për të realizuar standardet më të larta të sigurisë.
Ne do të zbatojmë procedurat më moderne për kontrollin e integruar të kufijve, pasi lëvizja e lirë është jetike për Shqipërinë. Jemi një komb që vetëm në 20 vjet ka mbi ¼ e tij të emigruar jashtë vendit.
Pra, ka probleme madhore dhe unë i sigurova përfaqësuesit e lartë se askush nuk duhet të mendojë se fluksi i emigrimit është në shtim, përkundrazi ky fluks është në pakësim dhe gjithnjë e më shumë, ai do të jetë dhe në kthim. Por, çështjet familjare janë çështje njerëzore, shumë të rëndësishme.
Me Presidentin Barroso sigurisht u diskutua dhe çështja e kandidimit për t’u anëtarësuar në Bashkimi Evropian por, të jemi realist, ky hap do të ndërmerret në bashkërendim të plotë me të gjithë faktorët.
Ne do të bëjmë detyrat tona të shtëpisë, por ky hap nuk duhet jetë i njëanshëm, do të jetë një vendim dhe një hap që do të negociohet. Kjo u vlerësua nga Presidenti Barroso dhe nuk do të thotë mungesë ambicie nga ana ime. Nuk ka ambicie më të madhe se këto dy projekte që ne kemi mbi tryezë, integrimin e plotë në NATO e BE. Por, natyrisht duhet të ruhet sensi dhe të bëhet një analizë komplekse për ndërmarrjen e akteve dhe vendimeve në këtë drejtim.
Sidoqoftë, unë ju informoj se ne jemi duke bërë përpjekjet më serioze, në mënyrë që, në momentin e negocimit të dritës jeshile të jemi sa më të përgatitur për hapat e mëtejshëm. Në këtë pikë, unë gjeta mirëkuptim të plotë gjatë bisedimeve në Bruksel.
Një tjetër çështje tepër e rëndësishme është mungesa e projekteve madhore infrastrukturore nga ana e Bashkimit Evropian në rajonin tonë. I kërkova Presidentit Barroso të inkurajojë projektim për ndërtimin e Korridorit 8 dhe shumë projekteve të tjera që të kalojnë në këtë rajon, pas një periudhe konflikti të gjatë dhe për rrjedhim dekurajim investimesh të mëdha, rajon i cili nuk ka të ardhme tjetër përveç asaj evropiane. Presidenti Barroso më siguroi se do ta shqyrtojë me seriozitet këtë kërkesë.
Një problem të fundit dhe shumë të rëndësishëm që diskutova si me Kryeministrin Leterme dhe me Presidentin Barroso, ishte problemi i përpjekjeve të Beogradit për të manipuluar tre komuna në Mitrovicën e Veriut.
Kjo është një çështje që duhet të merret me seriozitetin më të madh. Paqja dhe stabiliteti në Ballkan kërkon respektimin e standardeve evropiane të minoriteteve aty ku jetojnë dhe jo paranojë para shteteve të pastra etnike.
Tre komuna, homogjene të një etnie, përsëriten ne dhjetëra raste të gadishullin e Ballkanit dhe askush nuk ka të drejtë të manipulojë me to. Ndaj, unë këtë mesazh e përcjell kudo.
E ftova Presidentin Barroso të vizitojë Shqipërinë dhe më premtoi se ka dëshirë dhe kënaqësi të vijë në vendin tonë.
Kjo ishte një vizitë me mirëkuptim të madh dhe tepër e frytshme. Ju e keni ndjekur vet konferencën e shtypit me të dy këto personalitete të shquara, me Kryeministrin Leterme dhe Presidentin Barroso.
Gjatë qëndrimit në Bruksel pata një kënaqësi tjetër shumë të veçantë. Pasioni im për mediet ka kufi vetëm qiellin. Aty unë u intervistova nga mediet më të mëdha evropiane; CNN, BBC World Radio, etj. Pra, ishte një udhëtim i shkurtër, intensiv dhe shumë i rëndësishëm”.
Pyetje: Zoti Berisha, në hapjen e negociatave për liberalizimin e vizave, zoti Fratini u shpreh se Shqipëria ka shumë shanse për ta nënshkruar këtë marrëveshje përpara dhjetorit të vitit 2009 që përkonte dhe me përfundimin e mandatit të zotit Barroso. Gjatë takimit me zotin Barroso a është diskutuar ky fakt?
Kryeministri Berisha: Me Presidentin Barroso unë nuk diskutova data, pasi ashtu siç ju e dini, unë nuk jam njeri që fiksoj data dhe përqindje, por jam njeri që synoj të arrij data dhe përqindje. Kjo gjë ndryshon. Punoj me shpresë dhe besim se gjërat do të ndodhin para afatit të cilin mendoj unë. Ndaj, si publikisht, edhe jo publikisht, unë jam i njëjti. Si njeri i fjalës së mbajtur, i premtimeve të mbajtura, përfaqësuesit ndërkombëtar e dinë që të gjitha kërkesat do zbatohen. Ata do të sjellin një dokument me kërkesa, për të cilin më informuan se po e përpunojnë dhe shumë shpejt do t’ia dërgojnë qeverisë. Ky dokument rreshton kërkesat që duhet të plotësojnë vendet të cilat dëshirojnë të kenë lëvizjen e lirë.
Unë e garantova Presidentin Barroso se cilido të jetë çmimi i këtyre kërkesave, Shqipëria do t’i plotësojë. Shqiptarët presin me padurim të lëvizin të lirë si qytetarë evropianë, ndaj ky është një detyrim madhor i imi.
Pyetje: Prej dy javësh, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar heqjen e imunitetit të zotit Mediu, duke e ngarkuar atë me përgjegjësi ligjore për tragjedinë e gërdecit. Cili është komenti juaj për këtë?
Kryeministri Berisha: Lidhur me çështjen e imunitetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, unë ju garantoj se i qëndrojmë plotësisht divizës së hapjes rrugë të hetimit nga Prokuroria shqiptare për çdo çështje tjetër, përveçse atyre politike. Çështje politike jo, sepse kështu e ka gjithë bota e lirë; deklaratat politike të deputetëve nuk mund të hetohen. Dua t’ju informoj se kohët e fundit një delegacion i parlamentit tonë ishte në Shtetet e Bashkuara dhe nga takimet atje, atyre ju kërkuan në mënyrë të prerë, pikërisht kjo që po diskutojmë, kufizimi i imunitetit. Nuk kanë imunitet kongresmenët dhe senatorët amerikanë. Absolutisht jo. Nuk kanë absolutisht imunitet për asgjë tjetër, përveçse për fjalën që mbajnë në platformën e Senatit dhe Kongresit. Zoti Zogaj e përcolli këtë qëndrim, por shpresoj që edhe pjesa e opozitës t’ia ketë përcjellë grupit të vet. Sidoqoftë, standardi i kësaj mazhorance është; përgjigje çdo kërkese të prokurorisë, përveçse atyre që janë politike.
Pyetje: Pak ditë më parë, Presidenti Topi ktheu për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin për legalizimet. A do ta kaloni këtë ligj, duke kërkuar konsensusin e partive tuaja aleate, duke pasur parasysh faktin që ligji tani duhet miratuar me 71 vota?
Kryeministri Berisha: Natyrisht, si në çdo rast, do të ketë negociata intensive, para se dekreti të shkojë në Kuvend. Kjo është një praktikë e ndjekur në mënyrë të vazhdueshme. As ky dekret nuk mund të dalë jashtë kësaj praktike. Unë dua t’ju siguroj se do merret për bazë çdo gjë thelbësore, pra jo vetëm sugjerimet e Presidentit, por edhe të atyre me të cilët do të negociohet. Unë e konsideroj këtë një proces normal.
Pyetje: Cili është komenti juaj lidhur me dublimin e faqes zyrtare të Këshillit të Ministrave?
Kryeministri Berisha: Hakers-at? Ata janë të përbotshëm. Edhe vendit me procedurat elektronike më të zhvilluara në Europë, Estonisë, i ndërhynë, jo vetën më faqen e zyrtare, por në të gjitha faqet e internetit. Do të merren masat më të forta të sigurisë, në mënyrë që të parandalohen veprime të tilla klandestine.
Pyetje: Zoti Kryeministër, pak ditë më parë ju realizuat në Kuvend disa ndryshime në disa amendime të Kushtetutës. Përse nuk e përfshitë edhe nismën tuaj për kufizimin e imunitetit?
Kryeministri Berisha: Unë mbetem në përpjekje dhe jam optimist se do ta realizojmë këtë nismë. Por të tilla janë reformat, ato kërkojnë durim, insistim, arsyetim dhe kompromis. Jam i bindur se opozita do të bindet për këtë çështje. Ne kemi ndërmarrë nismën për të mos e kaluar me 84 vota në Kuvend, sepse Komisioni i Venecias ka dhënë qartë dritën jeshile për kalimin në Kuvend të kësaj nisme me 84 vota. Por sërish unë mendoj se edhe këtë nismë do ta realizojmë me opozitën. Derisa të mos bindet opozita, ky do të jetë një veprim i njëanshëm. Çdo imunitet i maxhorancës nuk ekziston, përveçse për çështje politike. Gjithsesi, unë shpresoj se gradualisht do të kemi një konsensus me opozitën për këtë gjë:
Pyetje: A do të merrni ju masë ndaj drejtuesit të tatimeve Arben Sefgjini, pas masës që ka dhënë për të Gjykata?
Kryeministri Berisha: Vendimi i Gjykatës nuk është pezullim detyre. Kërkesa ka qenë për pezullim detyre. Ndërkohë çështja është në shqyrtim. Ky person, sipas dijenisë sime, ka qenë në arrest shtëpie apo në burg për shumë muaj dhe ka marrë qindarkë për qindarkë dëmin e shkaktuar, dëmshpërblim të plotë për çdo orë e çdo ditë. Sigurisht, ligji është i drejtë që e detyron shtetin të zhdëmtojë në këtë rast, por duhet të jetë edhe për përgjegjësit e atyre të cilët ia krijojnë këtë dëm shtetit. Sepse këto nuk janë para të qeverisë, por të qytetarëve dhe nuk është një shumë e vogël zhdëmtimi që bëhet për shkaqe të tilla. Ndaj ne, dy herë për të njëjtën gjë nuk mund të paguajmë. Le të presim vendimin, le të vazhdojë procesi. Ritheksoj se ai është zhdëmtuar qindarkë për qindarkë për kohën që është mbajtur në arrest, sepse është konsideruar se nuk ka pasur prova të mjaftueshme.
Pyetje: Zoti Kryeministër, Gjykata Kushtetuese nuk ra dakord dhe ktheu një ligj siç ishte ligji për gjobat. Në projektligjin e ri “Për procedurat tatimore”që do të hartohet, a do të hiqet ky nen?
Kryeministri Berisha: Qeveria është kategorike në zbatimin e të gjitha vendimeve të gjykatave. I do apo jo, ekzekutivi është në zbatim të vendimeve të gjykatave. Ne i qëndrojmë çdo vendimi që do të japë gjykata. Nuk mendoj se ekzekutivi do të marrë një hap kundërthënës, por duhet të theksoj një gjë, meqë jemi tek kjo çështje; ka një vendim fatal të gjykatës, i cili i jep të gjithë pushtetin gjykatës dhe, në mënyrë absolute i gjithë pushteti nuk mund t`i jepet gjykatës sepse në asnjë vend të botës nuk ka gjithëpushtet gjykata. Por, kjo çështje nuk zgjidhet me kundërshtim vendimesh, kjo çështje zgjidhet me reforma.
Nuk ka asnjë vend të botës në të cilin gjykata të vendosë masë sigurie për kontrabandistin, të vendosë masë sigurie për hajdutin dhe të bllokojë ekzekutimin e vendimit ekzekutiv. Në të gjithë legjislacionin e botës nuk ekziston, se përndryshe pastaj nuk ka kuptim i gjithë pushteti i gjykatës.
Por, ky është një problem që zgjidhet me reforma dhe jo me moszbatim të vendimit. Vendimin do ta zbatojmë dhe reformën do ta vazhdojmë. Ne do të vazhdojmë reformën sepse nuk mund të pranojmë këtë situatë. Nëse ti kapesh me kontrabandë dhe gjykata bllokon vendimin e ekzekutivit, kjo do të thotë se pastaj gjykata bën doganierin, bën taksambledhësin, bën ekzekutivin, bën policin, bën shoferin, pra i bën të gjitha. Ka një vendim në kundërthënie të Kolegjin e Gjykatës së Lartë ndaj tij, sepse është në kundërshtim me Kodin Administrativ. Por këto probleme vendi duhet t`i zgjidhë me reforma, nuk i zgjidh me përballje të pushteteve njëri me tjetrin.
Pyetje: Pse nuk ka nisur ende kompensimi i bizneseve të dëmtuara më 15 mars ?
Kryeministri Berisha: Kompensimi i biznesit do të bëhet plotësisht. Do të shihet çfarë ka qenë e siguruar në këto biznese, cilat janë dokumentet e tyre. Ne i qëndrojmë fjalë për fjalë asaj që kemi thënë. Natyrisht, ky proces ka kërkuar një procedurë pak më të komplikuar, sepse është dashur të mblidhen dokumente, pasi dikush prej tyre mund të thotë që ka bërë një sasi të caktuar investimesh, apo ka pasur gjendje një sasi të caktuar malli, por kërkohet që kjo të vërtetohet me dokumente. Kjo gjë duhet të faktohet me dokumente, sepse nuk mund të bëhet thjesht me vetëdeklarim. Por e theksoj se do të kompensohet çdo biznes që ka humbur në këtë zonë.
Pyetje: Zoti Kryeministër, prej dy muajsh posti i Zëvendëskryeministrit vazhdon të mbetet bosh, ndërkohë kemi dhe një deklaratë të republikanëve për përfshirje në qeveri. Por, kemi edhe një luftë brenda PDK-së për heqjen e ministrit Ndoka. Duke pasur parasysh këto ndryshime, a do të pasohet kjo me ndryshime brenda ekzekutivit dhe çfarë do të ndodhë më konkretisht?
Kryeministri Berisha: Çështja e parë është e drejtë. Nuk janë tamam dy muaj, janë shumë më pak, por posti i Zëvendëskryeministrit do të plotësohet. Partia Republikane është parti e koalicionit. Ajo ka marrë vendim të përfaqësohet në qeveri dhe do të përfaqësohet në qeveri. Për sa i përket pjesës tjetër, unë nuk mund të hyj në asnjë rast në punët e brendshme të asnjë partie politike. Unë jam Kryeministër nuk kam të bëj me problemet e brendshme të partive aleate dhe jo aleate. Kjo nuk më takon.
Pyetje: Zoti Kryeministër por Kongresi i PDK-së, i mbajtur sot në mesditë, e ka shkarkuar z. Ndoka nga posti i kryetarit të PDK-së. Cili është komenti juaj?
Kryeministri Berisha: Të jem i sinqertë, këtë lajm e marr vesh nga ju. Nuk mund ta komentoj një lajm që e marr po këtu. Unë nuk përzihem në çështjet e brendshme të partive politike dhe kjo është dhe arsyeja që unë nuk kam dijeni për këtë.
Pyetje: Zoti Kryeministër, a do ta miratoni kërkesën e zotit Ndoka për tërheqjen e dy zëvendësministrave të tij, z. Gurakuqi dhe z.Bushati?
Kryeministri Berisha: Kryeministri funksionon mbi bazën e marrëveshjeve, mbi bazën e dokumenteve dhe jo mbi bazën e apeleve televizive. Imagjinoni nëse unë do të funksionoja mbi bazën e apeleve televizive do të kisha dhënë dorëheqjen mbi 50 herë.