Kryeministri Berisha pret përfaqësues të biznesit në fushën e metalurgjisë

Kryeministri Berisha prit pasditen e sotme një grup biznesi të përbërë nga përfaqësues të dy kompanive kineze “SiChuan JianNanChun International Economic & Trade Co.,Ltd.” dhe “Jiangsu Xuzhou Xinyuan Metallurgy Enterprises Ltd”,nga presidenti i kompanisë turke “Kurum”, si dhe nga administratori i kompanisë shqiptare “MIN-EX” sh.p.k.
Presidenti i grupit të biznesit kinez e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe i shprehu simpatinë e tij, si dhe të biznesit kinez, për mundësitë e mëdha investuese dhe klimën e biznesit që Shqipëria u ofron atyre. Ky konsorcium kinez-turk dhe shqiptar ka hartuar një plan biznesi dhe një projekt për një investim në fushën e minierave. Projekti konsiston në nxjerrjen, përpunimin dhe trajtimin metalurgjik të hekurnikelit dhe të kromit, në zonën e Burrelit dhe Kukësit.
Presidentët e dy kompanive kineze përfaqësojnë kompanitë nga më të mëdhatë në Kinë në fushën e metalurgjisë, konkretisht e dyta. Bazuar në eksperiencën e tyre, pasuruar me atë të kompanisë turke “Kurum” në Turqi dhe në Shqipëri, projekti synon jo vetëm nxjerrjen e mineraleve të hekurnikelit dhe kromit, përpunimin dhe trajtimin metalurgjik të tyre, por edhe nxjerrjen e produkteve të gatshme, të cilat rrisin vlerën e këtyre pasurive minerale.
Më tej, ata u shprehën se teknologjia kineze e përdorur,si dhe eksperienca turke e shqiptare në këtë fushë, janë garanci paraprake për suksesin e projektit. Ata theksuan, gjithashtu, që interesi i tyre për Shqipërinë dhe vendimi për t’ju bashkuar këtij grupi kompleks erdhi nga fakti që imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe arritjet e ekonomisë shqiptare në këto vitet e fundit janë mbresëlënëse. Ata mendojnë që do të përsërisin me sukses traditën e bashkëpunimit të biznesit kinez me atë shqiptar.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i shprehu kënaqësinë për projektin e prezantuar dhe interesin për investim të konkretizuar në këtë projekt. Kryeministri vlerësoi se ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin e industrisë minerale në Shqipëri dhe është në linjë të plotë me objektivat e kësaj qeverie për zhvillimin me cikël të mbyllur të këtij sektori. Më tej, Kryeministri u shpreh se ky kombinim biznesi, i përfaqësuesve nga grupe të njohura turke e kineze është shumë interesant, sepse pasqyron traditën e bashkëpunimit miqësor e të frytshëm të popullit shqiptar me këta dy popuj miq.
Kryeministri Berisha i garantoi ata për mbështetjen e qeverisë në vlerësimin dhe zbatimin me sukses të këtij projekti, sipas ligjeve shqiptare dhe standardeve ndërkombëtare. Kryeministri shprehu kënaqësinë që sheh konkretisht në projekte interesin e biznesit të huaj, në këtë rast të atij kinez dhe turk, pas takimeve të niveleve të larta që ka pasur me Presidentët dhe Kryeministrat e këtyre vendeve, ku në mënyrë të veçantë ka ftuar dhe kam garantuar bizneset e vendeve përkatëse të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.
27/08/2009