Kryeministri Berisha pret Ministrin e Jashtëm të Republikës së Qipros, z. Markos Kypriano
-Qipro mbështet plotësisht e integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE
Kryeministri Berisha priti sot Ministrin e Jashtëm të Republikës së Qipros, z. Markos Kypriano, i cili po zhvillon një vizitë pune në Tiranë.
Pasi i uroi mirëseardhjen z. Kypriano, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë vizitë si një shenjë më shumë të marrëdhënieve shumë miqësore dhe shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve dhe shprehu vullnetin për t`i intensifikuar ato edhe më tej.
Kryeministri Berisha i shprehu falenderimet z. Kypriano për përfundimin e procesit të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asoiciimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nga ana e Qipros.
Më tej Kryeministri vlerësoi se integrimi në NATO dhe në BE janë dy nga objektivat më madhore të qeverisë shqiptare dhe shtoi se paralelisht me ratifikimin e MSA-së, qeveria shqiptare po punon për realizimin e të gjitha kërkesave për të mundësuar ecjen pëpara me liberalimin e vizave për qytetarët shqiptarë në Bashkimin e Europian.
Përsa u përket marrdhënieve dypalëshe Kryeministri Berisha dhe Ministri i Jashtëm i Qipros shprehën vullnetin e të dy qeverive për të instensifikuar kontaktet në nivele të larta politike si dhe për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha tha se investitorët qipriotë janë të mirëpritur në Shqipëri dhe do të gjejnë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare.
Duke u ndalur në potencialet e mëdha që ofron Shqipëria, Kryeministri Berisha u shpreh se investitorët qipriotë, por dhe investitorët e tjerë të BE-së mund të gjejnë mundësi të mëdha për investime në fushën e energjisë, turizmit, bujqësisë, minierave dhe fusha të tjera.
Ministri i Jashtëm i Republikës së Qipros shprehu mbështetjen dhe përkrahjen e plotë të vendit të tij për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Pasi i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të Presidentit të Qipros Dimitris Christofias, z. Kypriano shprehu vullnetin e plotë të qeverisë së Qipros për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me Shqipërinë dhe për të çuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ministri i Jashtëm i Republikës së Qipros, shprehu vlerësimin e tij më të lartë për ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, duke theksuar faktin se qeveria shqiptare ka arritur në një kohë të shkurtër të realizojë reforma shumë të rëndësishme.
Kryeministri Berisha dhe z Kypriano shprehën vullnetin e tyre për të plotësuar kuadrin ligjor dhe institucional për rritjen e bashkëpunimit ekonomik për përkrahjen e biznesit.
Duke u ndalur në reformat e ndërmarra nga qeveria, Kryeministri Berisha e njohu Ministrin e Jashtëm të Qipros me reformat në fushën ekonomike, reformën fiskale, vendosjen e taksës së sheshtë 10 %, dixhitalizimin e procedurave duke filluar me e-taksat, e-procurement, e-doganat, inciativën “Shqipëria 1 euro”, one-stop-shop për regjistrimin e biznesit, etj.
Më tej Kryeministri Berisha dhe Ministri i Jshtëm i Republikës së Qipros u ndalën edhe në zhvillimet e fundit në Qipro.