Kryeministri Berisha pret përfaqësuesit e “General Elektric”.
Kryeministri Berisha priti në një takim përfaqësuesit e “General Elektric”, të kryesuar nga Guiseppe Recchi, President i Koorporatës për Europën Juglindore.
Kompania “General Elektric” shprehu interes për të investuar në projekte të mëdha : në infrastrukturë, energjitikë, përfshirë edhe energjinë nukleare, në aviacion, porte dhe në fushën e mjekësisë.
Gjithashtu kjo Koorporatë shprehu mbështetjen e grupit të saj financiar për të investuar në projekte të ndryshme në Shqipëri.
Kryeministri Berisha falenderoi përfaqësuesit e “General Electric” për interesin dhe vëmendjen që i kanë kushtuar Shqipërisë, si një vend i mundshëm për shtrirjen e aktivitetit të këtij gjiganti të industrisë dhe prezantoi fushat e mundshme për investime.
Duke folur për zhvillimet në fushën e energjisë, Kryeministri tha se ndërtimi i hidrocentraleve, termocentraleve, impianteve të erës dhe atyre nukleare, përbëjnë në të ardhmen një front të madh pune për këtë gjigant në industri.
Zoti Berisha i informoi edhe për proceset e garave të tenderave që do të hapen për konçensionet e porteve, hidrocentraleve dhe rrugëve.
Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri bëri një ekspoze të zhvillimeve të vrullshme në vend , në dy vitet e fundit dhe i orientoi investitorët për financime të projekteve të mëdha si ato në fushën e çimentos, porteve etj.