E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në takimin me qytetarë të Divjakës

Në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, Kryeministri Berisha zhvilloi sot në qytetin e Divjakës, një takim me banorët e këtij qyteti.

Duke marrë fjalën, kryeministri u shpreh:

Te nderuar qytetare te Divjakes!  Si kryeministër i vendit, ju them se kemi përmbushur një premtim madhor historik, marrjen nga ana e Shqipërisë të ftesës për anëtarësim në NATO, premtim, i cili e bën Shqipërinë më të denjë se kurrë më parë, në historinë e saj. E bën Shqipërinë dhe shqiptarët më të sigurtë se kurrë më parë, në historinë e tyre, e bën lirinë e shqiptarëve më të sigurtë se në të gjitha kohëra. Premtim, i cili realisht garanton për qytetarët dhe qytetaret e Divjakës dhe të mbarë Shqipërisë, verdiktin e madh të lirisë për të sotmen dhe të ardhmen e tyre. Shqipëria në NATO është pasaporta më e shkëlqyer turistike për Divjakën. Shqipëria në NATO është pasaporta qytetare më e shkëlqyer, është certifikata më e mirë për një shoqëri të lirë.

Ftesa, siç do të theksonte Presidenti i SHBA-së, Xhorxh Ë. Bush, ishte votëbesim unanim i 26 qeverive të vendeve anëtare, për reformat, për përpjekjet, për arritjet tona të përbashkëta.

Ftesën ne e morëm sepse e merituam atë,ne u dhamë miqve tanë të mëdhenj të na mbështesin fuqishëm në këtë ëndërr të madhe, u dhamë mundësi atyre sepse dëshmuan seriozitetin më të madh në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe seriozitetin në konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e vendit.

Kam ardhur këtu tek ju në 2005, kur Lagunën jua kishin pushtuar, përfaqësuesit e krimit. Ata sot ndodhen atje ku e meritojnë. Me atë zotim që unë ju kam dhënë qytetarëve tuaj në këtë shesh, që u kam dhënë kudo qytetarëve shqiptarë, ne i shpallëm luftë me zero tolerancë, krimit të organizuar, përndryshe NATO-n, as me dylbi nuk do ta shihnim sepse nuk të pranon askush si faktor sigurie, në rast se ti nuk ke ndershmërinë, përkushtimin, guximin, trimërinë, për të siguruar jetën e qytetarëve të tu.

Ndaj dhe në dy vjet, 206 grupe dhe banda kriminale u vendosën para ligjit. 900 anëtarë dhe drejtues të tyre u vendosën para ligjit. Ata u kapën kudo që ndodheshin në hotelet 5 yje apo në shpellat e Alpeve. Nuk ka paqe për ta dhe nuk do të ketë kurrë, sa të jetë jeta.

Siç e keni parë, udhëtoja shpesh në Bruksel dhe në Këshillin e Atlantikut të Veriut, kur unë bëja avokatinë e arritjeve tona, më shtronin shpesh pyetjen në se  do të jenë të parikthyeshme këto ndryshime apo jo. Kjo sepse se krimi i organizuar shqiptar kishte lemerisur edhe vende të tjera. Unë zotohesha se këto arritje janë të parikthyeshme, toleranca zero ndaj krimit do të vazhdojë dhe ne ia dolëm te bindim 26 vendet anëtare se Shqipëria është tjetër, se Divjaka është tjetër. Se Shqipëria ka sot një ndër siguritë më të mëdha në rajon dhe në Europë.

Ky është morali i shqiptarëve. Shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me krimin. Përkundrazi ne jemi një popull me një komb me një trashëgimi të mrekullueshme në këtë qëndrim. Po të lexoni, në librat e hershëm, do të gjeni se aty shkruhet për ne se jemi të varfër se jemi të atillë, apo të këtillë, por që të gjithë thonë një gjë, se, në  rrugët dhe fshatrat e qyteteve të Shqipërisë, gruaja shqiptare ecën më e sigurt se në të gjithë Evropën. Ky është kodi ynë moral. Dhe unë për këtë kisha besim absolut se krimin do ta çonim pas hekurave, pas prangave, aty ku e ka vendin.

Ne erdhëm në pushtet kur korrupsioni ishte shndërruar në sistem, kur krimi dhe korrupsioni sundonin së bashku. Qeveritarët zotëronin monopole private, të ushqimeve dhe prodhimet mbeteshin në fushë. Siç më thanë në 2005 fermerët e Vurgut, misri i tyre kalbej sepse Ministri i Bujqësisë kishte futur OMGJ-të dhe prodhimet e tyre mbeteshin pa u shitur. Po kështu edhe monopoli i naftës, i ndërtimeve dhe kështu me radhë.

Akti i parë i kësaj qeverie ishte që qeveria dhe administrata duhet të ishin jashtë konfliktit të interesit. Unë nuk them se sot nuk ka korrupsion, por sot nuk ka zyrtarë që kanë monopole, ashtu siç i kishin 3 vjet më parë dhe nuk do të kenë derisa të jem në pushtet. Për këtë ju jap jap fjalën.

Të jeni të bindur se unë jam njeri që kurrë nuk kënaqem përfundimisht me ato që kam bërë, për faktin e vetëm se çdo vit shoh se çfarë duhet të bëj më tepër. Por sot kur shoh se falangat përpiqen t’ju nxijnë ju të ardhmen, t’ju nxijnë horizontin me shpifje, trillime dhe mashtrime nga më të turpshmet, atëherë edhe unë vij tek ju për të nxjerrë në dritën e diellit para jush, se çfarë kemi bërë dhe çfarë kemi ndërmend të bëjmë.

Le të marrim cështjen e anëtarësimit në NATO. Për tre muaj rresht bandat me kollare të bardha u përpoqën t’ju mashtrojnë ju se nuk do të na jepnin ftesën për në NATO.  Ata janë të vetmit në botë që mashtrojnë popullin e tyre, duke u thënë se ftesa nuk do të jepet. Përse ndodh kjo. Sepse sa më afër shkojmë drejt NATO-s dhe drejt BE-së , aq më tepër ngushtohet hapësira për mafien, aq më e madhe bëhet transparenca. Këtu ata vazhdonin me shpifje dhe trillime te tjera. Korrupsion sigurisht që ka, por ka korrupsion 10 herë më pak dhe unë ia dëshmoj me fakte këtë, cdo qytetari. Ata të cilët u bien borive të korrupsionit, atyre u kiemi prerë me gërshërët e ligjit mundësinë për të prerë gjoba me mjetet e tyre. Më parë, dikush bënte një artikull dhe fitonte një tender. Tani ne u themi shkruani cfarë të doni, jeni dhe do të jeni më të lirët në Evropë, por tenderët, gjobat nuk do ti prisni ndonjëherë kësaj qeverie në mënyrë të kundra ligjshme.

Le të shqyrtojmë shpenzimet e administratës. Cilat janë këto shpenzime. Të gjitha janë taksat tuaja. Cilat janë këto shpenzime për të pritur, për të përcjellë, për të kryer të gjitha detyrimet. Ato janë zvogëluar me 40 deri në 50 %, ndonëse unë udhëtoj shumë më tepër dhe i kam dyert shumë më të hapura se ata. Por unë ju them se ne kemi vendosur disa kritere të cilat janë për të gjithë zyrtarët e këtij vendi. Paratë publike nuk mund të përdoren për qëllime personale apo private, ato përdoren vetëm për qëllime publike. Kjo ne na dha mundësi të kursejmë të paktën 110 milion euro shpenzime abuzive të administratës shtetërore.

Korrupsioni madhor ishte në prokurimet publike. Sipas raportit të BB 70 % e tyre bëheshin drejtpërdrejt që do të thotë se ato i jepeshin mikut apo atij që donin. Kur erdha në pushtet unë  gjeta në 40 % të rasteve autoritetet kontraktuese u jepnin dosjet atyre që donin dhe përjashtonin ata që nuk donin. Sot situata është ndryshe. Në vitin 2007 në raportin e BE-së nuk ka patur asnjë tender direkt në Shqipëri. Qeveria i ndaloi me ligj ato. Sot çdo sipërmarrës, mund të tërheq çdo lloj dosje prokurimesh nga faqja e Internetit të Agjencisë së Prokurimeve. Sot po shkojmë drejt prokurimit të plotë elektronik, që do të thotë se është ulur me 20 % kostoja  e përgjithshme e prokurimeve, që me fjalë të tjera do të thotë se janë kursyer disa qindra milionë dollarë vetëm në prokurimet publike.

Korrupsion madhor kishte në dogana. Në doganat, tatimet dhe regjistrimet e biznesit, sipas raportit të BB, 1.4 miliard dollarë përfundonin në xhepat e kontrabandistëve , të zyrtarëve, të taksambledhësve, të ministrave, zv/ministrave e me rradhë. Mund tu them se tre vjet më parë unë kam zhvilluar  një seri mbledhjesh me punonjësit e Ministrisë së Financave. Ju kam thënë në mënyrë absolute se me këtë situatë nuk pajtohem. Unë nuk mund të pranoj këtë nivel taksash të larta dhe këtë vjedhje masive, abuzive të taksave dhe hapi i parë ishte, ulja drastike e taksave. Së dyti, ato do të  mblidheshin dhe nuk do të vidheshin. Sot, sërish ka korrupsion dhe pse duke ulur 150 % tatim-fitimin, në 130% taksë mbi të ardhurat personale dhe 31 % sigurimet shoqërore, pra me të gjitha këto ulje ne fusim në buxhetin e shtetit në vit, 1.2 miliard dollarë më shumë.

Ju duhet të dini se çdo qindarkë e kësaj qeverie është qindarkë e juaja, është para e juaja, dhe qeveria është vetëm administratorja e tyre. Qeveria nuk prodhon asnjë qindarkë të vetme. Të gjitha i merr nga qytetarët, direkt apo indirekt. Ne erdhëm në pushtet dhe gjetëm një situatë të tmerrshme në administratë. Zyrtarë të lartë punonin si anëtarë të 21 bordeve. Bordet e tyre funksiononin në këtë mënyrë.

Mblidheshin 5 veta që drejtonin bordin apo forumin dhe vendosnin një rrogë prej 4 milionësh për drejtorin e tyre. Dhe rrogën e tyre e përcaktonin me 30 % të rrogës së drejtorit. Kur unë erdha në pushtet, unë gjeta 2300 zyrtarë që merrnin të gjithë rroga ministrash dhe zv/ministrash, pra të gjitha keto, paratë tuaja. Ky është një moçal i turpshëm. Gjithçka ishte ndërtuar mbi konceptin e interesit.

Unë do tu tregoj se cila është dobia e masave të marra nga ne. Ne vendosëm një rregull. Nuk mund të lihet një person më shumë se në tre borde dhe drejtori i bordit nuk mund ta ketë rrogën më shumë se sa sekretari i Përgjithshëm i një ministrie dhe natyrisht, anëtarët e bordit do të merrnin jo më shumë se 23 % të rrogës së drejtorit të bordit.

Paratë e përfituara nga lufta kundër korrupsioni ne i kthyem në rritje rrogash, rritje pensionesh. Unë jam këtu për ru informuar se ku shkojnë paratë tuaja, se cfarë bëhet me paratë tuaja. Këtë vit 1.2 miliard dollarë nga paratë tuaja shkojnë për ndërtimin  e rrugëve të Shqipërisë, nga Konispoli në Valbonë.

Ne do ta bëjmë Shqipërinë me një rrjet evropian modern të rrugëve , të rëndësishëm, për zhvillimin e këtij vendi. Në Lushnjë ne kemi investuar në këto dy vite në rrugë, 5 herë më shumë se sa kanë investuar qeveria e mëparshme në tetë vite të marra së bashku. Në Lushnje ne kemi investuar në ujësjellësa dhe furnizimin me ujë 2. 4 miliard lekë, kundrejt 190 milion lekëve që kanë investuar qeveria e mëparshme në 5 vjet. Kjo është e vërteta. Ne investojmë në shkolla, pasi janë me dhjetëra shkolla të reja në rikonstruksion, në këtë rreth. Ne po investojmë në rrjetin e energjisë elektrike dhe  e bëmë Lushnjën me rrjet elektrik të një kapaciteti të njëjtë si Tirana. Kemi investuar 800 milion lekë në këtë fushë. Ne do të investojmë në çdo rrugë dhe rrugicë të këtij rrethi dhe të mbarë Shqipërisë. Lushnja dhe e gjithë Shqipëria do të dalin nga balta dhe do të kenë një sistem modern të rrugëve.

Unë kam këtu një liste me dhjetëra e dhjetëra projekte në komunat e këtij rrethi. Unë ju jap fjalën se do ti vizitoj të gjitha. Do ti inspektoj dhe do ti inauguroj ato, sepse të gjitha janë premtime të mbajtura, ashtu siç kam mbajtur premtime për NATO-n, do ta mbaj premtimin për çdo rrugicë, për çdo rrugë.

Kam ardhur tre, katër vjet më parë ketu dhe e kam gjetur të parregulluar qendrën tuaj , njësoj si gropat prapa pallatit të Kulturës në Tiranë. Sot, ajo është një lulishte shumë e bukur.

Paratë tuaja shkojnë për të paguar arsimtarët. Ne i kemi rritur me 50 % rrogat e tyre dhe do të shkojmë drejt dyfishimit të tyre. Ky është investim për fëmijët tanë. Ne iu besojmë atyre fëmijët, edukimin e tyre, mendjen e tyre dhe ne do të përpiqemi ti shpërblejmë ata ashtu siç duhet. Këto para shkojnë për infermieret. Unë kam premtuar se nuk do të ketë pension në qytet, nën 100 dollarë,  dhe ju them se janë jo të pakta vendet ish komuniste që kane pensione me 60 apo 70 dollarë. Ndërsa sot këtu tek ne nuk ka më pension nën 110 dollarë, kur them 110 dollarë nuk flas me kursin e sotshëm, por me kursin kur është bërë ky premtim.

Në tetë vjet qeveria e mëparshme ka vendosur për rritje rrogash dhe pensionesh 34 miliard lekë, ndërsa ne në tre vjet kemi vendosur 38 miliard letë në rritje rrogash dhe pensionesh. Pra ata kanë vendosur 4 miliard në vit, ndërsa ne kemi vendosur 13 miliard në vit.  Pra katër herë më shumë. Ne premtuam se do të dyfishojmë pensionet në fshat , në vitin 2008. Ky zotim për ne realizohet një vit përpara afatit. Pensionet në fshat nuk do të jenë më poshtë se 68 mijë lekë. Sërish pohoj se ka korrupsion , dhe unë kërkoj ndihmën tuaj,  mbështetjen tuaj për të prerë edhe degët e fundit të korrupsionit.

Këto janë trungjet, më ndihmoni t’ju tregojmë vendin rryshfetxhinjve. Ju do të më falni nëse unë përdor këtë shprehje, por nuk ka sinonim tjetër më të saktë sesa faqezinj. Ai që gjobit qytetarin për t’i firmosur të drejtën e tij, një të drejtë që I takon me ligj, ai e ka faqen më të zi se zifti. Por, ju duhet të bëheni pjesë e kësaj lufte, sepse ju jap fjalën e nderit, ky është shërbimi më i madh që ju mund t’i bëni vendit tuaj. Ne nuk jemi një shoqëri ryshfeti, jemi shoqëri e qytetëruar, shoqëri e NATO-s, e Bashkimit Europian. Më thoni një rast të vetëm ku qytetari të ketë denoncuar një zyrtar me fakte për korrupsion, dhe ky i fundit të mos i jetë nënshtruar ligjit. Janë me dhjetëra, madje mbi 100 zyrtarë që po vuajnë atë që meritojnë, prangat dhe ligjin dhe kjo është meritë e qytetarëve. Pa ju kjo nuk realizohet. Unë ju jap fjalën se në çdo segment të tillë do ketë ndëshkim dhe vetëm ndëshkim dhe Kryeministri i Shqipërisë qëndron pas jush. 

Ne arritëm deri këtu dhe kemi bërë gjëra të mëdha. Ne arritëm të kemi një administratë shtetërore jashtë konfliktit të interesit, ne arritëm nga prokurimi direkt në prokurimin elektronik, arritëm që djemtë e vajzat tona të hyjnë në universitete pa asnjë lloj ndikimi korruptiv, ku as Kryeministri i vendit nuk mund të fusë asnjë student në universitet, përveç pranimit të tyre në bazë të meritës. Ne arritëm të nxjerrim nga kthetrat e kontrabandistëve, evazorëve, 1.2 miliardë dollarë. Ia dolëm që të dërgojmë në parlament një buxhet të dytë në muajin qershor. Këto janë sukseset dhe arritjet tuaja.  Le t’i japim tani goditjen përfundimtare, fatale, ryshfetit për të kthjelluar në mënyrë përfundimtare rrugën, qiellin, tokën, të ardhmen tonë, horizontin tonë.

Mos harroni kurrë, se mjeku që kërkon para dhe ryshfet për t’ju ofruar shërbimin është faqezi dhe bluzëzi, se gjykatësi që kërkon para për të të njohur të drejtën është më i zi se krimineli, se prokurori që nuk bën ligjin është më i zi se antiligji. Në këtë drejtim duhet që së bashku të ngrihemi kundër tyre dhe t’u tregojmë vendin. Nuk duhet ta humbasim kurrë optimizmin, sepse sot, secili nga ne, nëse mendojmë një moment shohim se këto 3 vite kemi ndryshuar më shumë se kurrë në historinë tonë, më shumë se kurrë në jetën tonë. Sot po shkojmë të sigurt drejt NATO, po shkojmë të sigurt drejt Bashkimit Europian, të shkojmë të sigurt drejt të ardhmes që kemi zgjedhur.

Zoti Kryetar i Bashkisë, dua ta mbyll këtë fjalë, duke të premtuar se do të mbështes çdo projekt të kësaj bashkie. Ju hartoni projektet dhe qeveria do t’i financojë. Rruga Divjakë- Pushimi i Shoferit do të jetë projekt që do të nisë sapo të përfundojë autostrada. Unë ju jap fjalën se ajo rrugë do jetë një rrugë turistike, ndërkombëtare, e standardeve më të mira dhe jo thjesht një rrugë rajonale. Ajo do të jetë një nga projektet më parësore të qeverisë.

Me këtë qytet më lidhin shumë gjëra, por më lidh edhe momenti kur unë, si President I Republikës, dekretova shpalljen e Divjakës bashki. Ndërkohë, i nderuar kryetar i Bashkisë, ti, me punën që ke bërë, me rregullat që ke ndjekur, me urbanizimin e zonës, ke faktuar se unë nuk kam gabuar me atë dekret dhe ju e keni merituar plotësisht atë.

Por, tani unë kërkoj nga ju, projekte për të sistemuar dhe asfaltuar këtë qytet në çdo skaj e cep të tij. Kjo është kontrata ime me ju, me qytetarët e Divjakës. Faleminderit”.    

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›