Kryeministri Berisha pret zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, senatorin Alfredo Mantica
Kryeministri Berisha priti sot në një takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, senatorin Alfredo Mantica, i cili ndodhet në një vizitë pune në Tiranë.
Kryeministri Berisha vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, tashmë i konkretizuar në një dokument partneriteti strategjik dhe i intensifikuar në nivelet më të larta gjatë vitit 2010. Gjithashtu, Kryeministri theksoi mundësitë e mëdha që Shqipëria ofron për investitorët italianë në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha i shprehu senatorit Mantica falënderime për mbështetjen e jashtëzakonshme që Kryeministri Berluskoni, ministri i Jashtëm i Italisë z. Franco Frattini dhe e gjithë qeveria italiane kanë dhënë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, e cila kulmoi me heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.
Nga ana e tij, zv/ministri i Punëve të Jashtme të Italisë z. Alfredo Mantica Kryeministrin Berisha për pritjen dhe cilësoi si shumë të dobishme vizitën që Kryeministri do të bëjë së shpejti në Milano si një mundësi e mirë për paraqitjen e potencialeve të bashkëpunimit ekonomik që ofron Shqipëria për biznesin italian. Ai gjithashtu, vlerësoi lart partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe Italisë, nivelin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit.
Senatori Mantica e njohu Kryeministrin Berisha me iniciativën për promovimin e një makro - rajoni evropian për Adriatikun, ku përfshihen të gjitha vendet që lagen nga deti Adriatik dhe vende të tjera të rajonit të Ballkanit, vende anëtare dhe jo anëtare të Bashkimit Evropian. Zëvendësministri Mantica vuri në dukje rëndësinë e këtij instrumenti për një zhvillim të fuqishëm rajonal dhe promovim të interesave të përbashkët të vendeve të rajonit. Më tej, ai theksoi rolin e veçantë që do të kishte Shqipëria në këtë inisiativë.
Kryeministri Berisha e mirëpriti dhe e mbështeti plotësisht këtë iniciativë, si dhe theksoi nevojën që rajoni ka për të zhvilluar nëpërmjet projektesh rajonale në infrastrukturë dhe në fusha të tjera të bashkëpunimit ekonomik dhe më gjerë.
Të dy bashkëbiseduesit diskutuan dhe mbi nevojën dhe mundësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit në fushën e studimeve shkencore nëpërmjet instituteve të të dy vendeve.
14/01/2011