Kryeministri Berisha prezanton në Tepelenë, kandidatët për deputetë të qarkut të Gjirokastrës
“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tepelenës
Vëllezër dhe motra
Zonja e zotërinj
Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, për këtë pritje madhështore. Sot Tepelena feston uraganin e fitores së Partisë Demokratike, ndaj dhe jam këtu për të ftuar qytetarët e Tepelenës të të gjitha bindjeve, të bashkohemi sëbashku për të ecur përpara drejt horizontit Europian. Me ne ju firmosët marrëveshjen e stabilizim-asociimit, firmosët NATO-n, firmosët lëvizjen e lirë, do të firmosni statusin, hapjen e negociatave, udhëtimin e pandalshëm drejt Europës.
Ftoj qytetarët e Tepelenës të bashkohen me ne në fitoren e 23 qershori, për një Tepelenë me infrastrukturë më moderne me infrastrukturë Europiane. Gjatë këtyre viteve ne ndërtuam 135 kilometra rrugë kombëtare dhe rurale në rrethin tuaj. Filloi ndërtimi i Boshtit të Jugut, dhe këto ditë hapet trafiku në segmentin më kryesor të tij Tiranë-Elbasan dhe do të vazhdojmë më tej.
Qytetarë dhe qytetare të Tepelenës
Ju ftoj të bashkoheni në fitoren tonë, për pensione dhe rroga më të larta. Këto vite ne dyfishuam pensionet në fshat rritëm 120-150 përqind rrogat e mësuesve, infermiereve, e mjekëve, vazhdojmë të rrisim rrogat, do të vazhdojmë të rrisim pensionet, do të vazhdojmë të rrisim mirëqenien.
Qytetarë dhe qytetare të Tepelenës
Këto vite ne ndërtuam një rrjet të tërë ujësjellësash dhe këtu në Tepelenë ndër më modernin, rindërtuam shkolla dhe qendra shëndetësore. Bashkohuni me ne, në fitore për të ndërtuar çdo shkollë, çdo ujësjellës, çdo kanalizim, çdo qendër shëndetësore në mbarë rrethin tuaj.
Qytetarë dhe qytetare të Tepelenës
Ju ftoj të bashkohemi , në fitoren tonë të 23 qershorit, për të shndërruar ujërat e Tepelenës në burime energjetike në energji më të lirë për ju dhe për shqiptarët. Le të ecim ne sëbashku pavarësisht nga bindjet politike drejt fitores së 23 qershorit, për Tepelenën turistike, Gjirokastrën turistike, Shqipërinë turistike. Por mbi të gjitha ju ftoj të bashkoheni për punësimin dhe mirëqenien tonë më të madhe. Ne, të cilët gjatë katër viteve të shkuara siç pohon Komisioni Europian ia dolëm të ulim papunësinë, ne jemi të vendosur në krijimin masiv të vendeve të punës. Në ndërtimin e infrastrukturës rrugore ne punësuam 57 mijë shqiptarë , ne jemi të vendosur në ndërtimin e Boshtit të Jugut, në ndërtimin e rrugës së Arbërit, në ndërtimin e sistemit të vaditjes për fermerët shqiptarë, në ndërtimin e të gjitha rrugëve në fshatrat e Tepelenës dhe mbarë Shqipërisë, të punësojmë sërish mbi 50 mijë qytetarë shqiptarë. Bashkohuni me ne për punësimin tuaj dhe të shqiptarëve, sepse katër vitet që shkuan ne ia dolëm të thithim 4.2 miliard dollarë investime të huaja. Me heqjen e taksës për makineritë dhe materialet e importit për bizneset, ne jemi të bindur për koncesionet që kemi dhënë se do të thithim së paku 6 miliard dollarë investime dhe do të punësojmë dhjetëra mijëra qytetarë. Bashkohuni me ne, sepse ne në rast se vitet që kaluam, financuam me grante 320 fermerë dhe blegtorë në Tepelenë, gjatë viteve që vijnë ne do të trefishojmë grantet. Ne do të paguajmë me para në dorë TVSH për të gjitha materialet e importit që përdoren në bujqësi, do të paguajmë me para në dorë akcizën e naftës, do të financojmë çdo kokë dele, dhi, apo gjeth në Tepelenë dhe në mbarë Shqipërinë.
Gra dhe burra të Tepelenës
Alternativa jonë bazohet në besimin tek ju, në përpjekjen tonë që ju me djersën, mundin, gjeninë tuaj krijuese, të krijoni të ardhura më shumë për vete, familjen, Tepelenën dhe Shqipërisë,. Ne ju ftojmë ju të votoni projektin tonë, sepse ne kur themi do të ndërtojmë çdo rrugë në Tepelenë e kemi faktuar këtë , ju së shpejti shkoni në Tiranë brenda dy orëve me një autostradë të mrekullueshme dhe më pas Boshti i Jugut do të vijë në Gjirokastër dhe në Sarandë në një kohë rekord. Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është sharje, akuza, mashtrime dhe mohime. Asgjë e mirë thotë nuk ka ndodhur ne Shqipëri! Cili tepelenas thotë se nuk është gjë e mirë autostrada Tepelene-Gjirokastër, autostrada Tepelenë-Levan, rrugët e tjera në të katër anët e këtij rrethi. Cili tepelenas pranon se nuk është e mirë lëvizja e lirë në mbarë Europën, se nuk është i mirë statusi, se nuk janë të mira financimet për fermerët? Kjo është një psikologji që kërkon të shkelmojë mbi çdo arritje tuajën.
Vëllezër dhe motra
Përveç sharjeve nga shoku i autobuzit mavi ju dëgjoni edhe qyfyre. Nga një anë thotë se do të do të heq TVSH për qumështin, për vezën, për vajin, për grurin, për bukën , kjo do të thotë që qumështi juaj të mos blihet më, sepse natyrisht ata që prodhojnë qumësht duke subvencionuar me 1 euro delen në ditë dhe 3 euro lopën, ata e prodhojnë me kosto shumë më të lirë. Kjo do të thotë që ju të mos prodhoni qumësht, të mos prodhoni grurë të mos prodhoni vaj. Pra , si do t’ju punësojë në bujqësi kur ti po shkatërron me heqjen e TVSH prodhimet e fermerëve shqiptarë në fushë. Ky është një mashtrim i paskrupullt dhe asgjë tjetër. Piktori mavi i dështuar që një jetë të tërë nuk paraqiti dot një tablo për të qenë, ju premtoi shqiptarëve nga autobuzi mavi, se 40 mijë vende pune do ti krijojë nga ndihma ekonomike. Vetëm një fantazi qesharake mund të bëjë një deklaratë të tillë. Po sa vende pune krijove nga ndihma ekonomike more shoku i autobuzit, kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës? As edhe një të vetëm. Përkundrazi shoku i autobuzit mavi na deklaroi se kur ishte kryetar Bashkie, se nuk kam punë me vendet e punës unë, ato i ka qeveria, pra shpërndan gënjeshtra nga autobuzi mavi, me të cilat mendon se mund të mashtrojë shqiptarët. E vërteta është se 23 qershori po vjen dhe shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë, në fitoren tonë të përbashkët.
Përpara drejt fitores.
Votoni 44, për Tepelenën e zhvilluar.
Votoni 44, për punësimin tuaj.
Votoni 44. për Tepelenën Europiane, Shqipërinë Europiane
Ju jap fjalën se me deputetët e qarkut tuaj, çdo projekt në këtë rreth do ta bëjmë realitet për ju.
Begatinë e ndërtoni vetë, ne ju ndihmojmë
Rrofshi ju.
Rroftë Tepelena.
Rroftë Shqipëria.”
09/06/2013