E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton në konferencë eksperiencën e shtetit shqiptar në rrëzimin e regjimit diktatorial

I ftuar special nga Fondacioni Konrad Adenauer, për të marrë pjesë në konferencën me temë “Vitet 1989/1990: era e ndryshimit në Shqipëri”, kryeministri Berisha ka shpalosur përpara personaliteteve më të larta të Gjermanisë eksperiencën e shtetit shqiptar në rrëzimin e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, rindërtimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë, të cilat tashmë do të kurorëzohen me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Fillimisht kryeministri Berisha është ndalur pikërisht në vitin 1989, vit i cili shënon në historinë e Gjermanisë, por edhe të botës rënien e Murit të Berlinit duke e konsideruar këtë ngjarje si historinë më të madhe të njerëzimit për shekullin e 20-të, pas Luftës së Dytë Botërore.
Kryeministri ka theksuar se rënia e Murit të Berlinit shënoi hapjen e portës së mbyllur të lirisë për mbi 400 milion qytetarë evropianë dhe të Azisë Qendrore, fitimin e dinjitetit njerëzor të munguar. Rënia e Murit të Berlinit, mur që shtrihej nga detrat e Veriut, në Kanalin e Korfuzit, shënoi fundin e rrethimit të lirisë në Europë dhe botë si edhe fundin e shpejtë të sistemit më tragjik, më çnjerëzor që kohërat kanë njohur.

Gjithashtu Kryeministri nënvizoi se rënia e Murit të Berlinit ishte rezultat i një seri faktorëve, ndër të cilët si përcaktues ka veçuar krjimin e NATO-s dhe konsolidimin e saj si aleancë që frenoi me sukses të madh ekspansionin sovjetik në Europë. Në këtë kontekst kryeministri Berisha ka theksuar se pa themelimin dhe konsolidimin e Aleancës se Atlantikut te Veriut, paranoja ekspansioniste e Kremlinit të kuq dhe satelitëve të tij, nuk do të kishte të ndalur. Fatin e  Çekosllovakisë, pushtimi i së cilës erdhi vetëm e vetëm se ajo tentoi të hapej dhe të lidhej me Perëndimin, Kremlini do të donte t’ua rezervonte edhe shumë vendeve të tjera në perëndim, në veri dhe në jug të kontinentit. Kryeministri vlerësoi se NATO ishte faktori më madhor, që frenoi me sukses të plotë sovjetizimin e Europës nga Kremlini dhe bëri të mundur, që perdja e hekurt, Muri i Berlinit, të shndërrohej në fund, në një mur apo perde kashte.

Duke u kthyer në ngjarjet e Shqipërisë gjatë asaj kohe, Kryeministri ka theksuar se për shqiptarët që përjetonin izolimin më të thellë në tërë historinë e tyre,
Papa Gjon Pali II do të mbetet përgjithmonë miku i madh dhe i shquar i tyre, që nuk i harroi ata edhe kur të tjerë i kishin harruar, apo kur ishin zhytur në vetëharresën më të thellë të historisë tyre. Në memorien e kombit shqiptar kryeministri ka theksuar se do të mbeten gjithmonë të paharruara thirrjet dhe mesazhet që ai ju drejtoi shqiptarëve nga Brindisi, në vitet 1980 dhe 1982, në mbrojtje të lirive të tyre.

Kryeministri vuri në dukje gjithashtu se pas përmbysjes se diktaturës Shqipëria do të ishte vendi i parë në Ballkan që Papa Gjon Pali II do të vizitonte më 23 prill 1993. “Ndjehem krenar dhe i bekuar se unë dhe bashkëqytetarët e mi, patëm mundësinë të dëshmonin me pritjen tonë, dashurinë dhe mirënjohjen më të madhe” u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu ai  ka kujtuar se pas themelimit të opozitës shqiptare, Helmut Kol do të ishte kryeministri i parë i një vendi të madh të Evropës që do të takonte si lider i opozitës shqiptare në pranverën e vitit ‘91 dhe më pas, pas fitores së demokracisë, ai ishte burri i shtetit që ka takuar më shpesh si President i Shqipërisë, dhe që ndihmoi më shumë se kushdo tjetër Shqipërinë në ndërtimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij të thellë për “burrin më të madh të tokës gjermane” pas Bismarkut, mikun e madh të kombit shqiptar Kancelarin Helmut Kohl.

Gjithashtu Kryeministri Berisha e konsideroi pjesëmarrjen e tij në këtë konferencë si një rast të veçantë për të shprehur mirënjohjen e tij më të thellë mikut të madh të kombit shqiptar dhe të tij personal Presidentit Bush për shërbimin e madh që i bëri lirisë botërore me qëndrimin e tij vizionar ndaj shembjes së Murit të Berlinit dhe ndihmën e madhe që i dha Shqipërisë në përmbysjen e diktaturës komuniste. “Kam patur fatin ta takoj në Shtëpinë e Bardhë, ta pres dy herë në Shqipëri, pas largimit nga detyra, të dëshmoj mirënjohjen dhe ndjenjat më miqësore për kontributin e tij në lirinë e shqiptarëve, Europës dhe Botës.  Ndër të gjitha vendet e Evropës ish-komuniste, në Shqipëri sundonte forma më e egër, më totalitare e regjimit komunist. 22 marsi 1992 shënon fillimin e ndërtimit të sistemit demokratik dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri” u shpreh kryeministri.
Duke vijuar më tej në fjalën e tij Kryeministri ka vënë në dukje se më 22 mars Shqipëria ishte në një kolaps të plotë ekonomik. Në këtë kontekst kryeministri tha se qeveria e dalë nga zgjedhjet procedoi me reforma të thella e të gjithanshme, të cilat bënë të mundur hedhjen e themeleve të rendit demokratik të bazuar në ekonominë e tregut.
Duke u referuar ngjarjeve të Shqipërisë gjatë asaj kohe kryeministri ka theksuar se se ndër të gjitha vendet e Evropës ish-komuniste, në Shqipëri sundonte forma më e egër dhe më totalitare e regjimit komunist. Duke e cilësuar figurën e diktatorit Enver Hoxha si Hitlerin e pasluftës kryeministri theksoi se për 45 vjet në Shqipëri u vendos forma më ekstreme e monizmit apo totalitarizmit. 

Kryeministri  nënvizoi se dora e hekurt e sistemit diktatorial në Shqipëri ndaloi me Kushtetutë dhe ligj, liritë dhe drejtat themelore të njeriut, asgjësoi pronën private, iu shtetëzoi qytetarëve shqiptarë çdo gjë, tokën, pasuritë gjer dhe trojet e shtëpive, dhe vendosi sistemin e hiper-kolektivizmit apo të shndërrimit të njeriut në skllav të vërtetë të shtetit socialist. Në mënyrë të veçantë kryeministri theksoi aktin e paprecedent në historinë shekullore të vendit, barbarinë kulturore të paparë ndonjëherë, atë të rrënimit të gjitha kishave, xhamive e teqeve të vendit, ndër më të bukurat dhe më të vjetrat e rajonit. 

Kryeministri Berisha theksoi se regjimi i Enver Hoxhës ekzekutoi me gjyq dhe pa gjyq qytetarët shqiptarë mbi dy herë më shumë se sa të gjithë klikat komuniste të Polonisë, Çekosllovakisë, Bullgarisë, Rumanisë, Ish Jugosllavisë dhe Hungarisë (përveç kohës së revolucionit). Duke u kthyer në kohë Kryeministri theksoi se në pranverën dhe verën e vitit ’90, pasi regjimi hoqi nga Kodi Penal largimin nga vendi si tradhti e lartë, qindra të rinj u ekzekutuan në kufijtë e saj, në tentativë për t`u larguar nga vendi dhe në disa raste trupat e tyre të vdekur  u shëtitën në rrugët e qyteteve si Shkodra, Saranda etj.

E, ndërsa nënvizoi se gjendja asaj kohe në Shqipëri ishte jashtë çdo imagjinate njerëzore, kryeministri tha se tek çdo shqiptar flladi i lirisë, pas rënies së Murit të Berlinit, nisi të ndjehet.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu dhe revoltën e madhe studentore të vitit 1990, e cila ishte një manifestim i kurajës së qytetarëve dhe intelektualëve, të cilët kundër regjimit kërkonin fitoren e lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.


18/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›