Kryeministri Berisha priti Zëvendëskryeministren e Kroacisë, znj. Durda Adlešic
Kryeministri Berisha priti sot Zëvendëskryeministren e Kroacisë, znj. Durda Adlešic, e cila zhvilloi një vizitë pune në vendin tonë. Në takim, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e kësaj vizite për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat. Kryeministri vuri theksin në marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe bashkëpunimin e ngushtë të të dy vendeve tona në procesin e anëtarësimit në NATO, si dhe vlerësoi progresin e shënuar nga Kroacia në drejtim të integrimit evropian.
Kryeministri Berisha falënderoi Zëvendëskryeministren kroate për asistencën që specialistët kroatë po i japin Shqipërisë në përgatitjen e përgjigjeve për Pyetësorin e Komisionit Evropian. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha u shpreh edhe për rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve ekonomike mes të dy vendeve. Kryeministri Berisha sugjeroi shqyrtimin e mundësisë së një regjimi liberal vizash për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë nëpër Kroaci për arsye pune apo turizmi.
Pasi e falënderoi për pritjen, Zv/kryeministrja kroate i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e Kryeministres së Kroacisë, Znj. Kosar. Zonja Durda Adlešic e falënderoi Kryeministrin për mbështetjen që qeveria shqiptare ka dhënë në krijimin e një Qendre Rajonale në Kroaci për përballimin e fatkeqësive nga zjarret natyrore dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për përballimin e fatkeqësive natyrore. Më tej, ajo shprehu kënaqësinë për bisedimet e frytshme me ministrin e Jashtëm dhe atë të Brendshëm. Zonja Adlešic vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e shpërndarjes së pasaportave biometrike dhe u shpreh e gatshme për të shqyrtuar mundësinë e liberalizimit të regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë që kalojnë në territorin e Kroacisë.
Kryeministri Berisha u shpreh për rëndësinë e madhe që kanë projektet rajonale të financuara nga Banka Botërore, siç është edhe projekti i Qendrës Rajonale Kundër Zjarreve. Gjithashtu, ai nënvizoi rëndësinë e luftës së përbashkët kundër krimit, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm.
Në përfundim, Kryeministri Berisha i kërkoi zonjës Adlešic t’i përcjellë Kryeministres së Kroacisë ftesën për të vizituar Shqipërinë.
23/02/2010