E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takon Raportuesin e Posaçëm të OKB-së, Filip Alston.

22 shkurt 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Raportuesin e Posaçëm të OKB-së, Filip Alston, i cili prej disa ditësh ndodhet në një vizitë në vendin tonë së bashku me delegacionin zyrtar që e shoqëron.

Në këtë takim, Presidenti Topi e njohu Prof. Alston me disa prej zhvillimeve më aktuale në Shqipëri në fusha ku shteti shqiptar po punon me seriozitet për realizimin e reformave efikase, përmbushja me sukses e së cilave përbën dhe një ndër kushtet kryesore për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Në mënyrë të veçantë, Kryetari i shtetit u ndal në hapat e ndërmarrë për respektimin e të drejtave të njeriut si “element substancial i çdo shoqërie demokratike”. Presidenti Topi vuri në dukje gjatë bisedës se, shteti shqiptar po bën përpjekje serioze në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeve negative si trafikimi i qenieve njerëzore, gjakmarrja dhe dhuna në familje, duke patur në këtë drejtim dhe mbështetjen e vazhdueshme të strukturave të posaçme dhe misioneve të specializuara ndërkombëtare, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vendin tonë. “Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe vështirësitë, me të cilat po përballemi në vijimësi, por edhe të bindur në realizimin me sukses të misionit tonë për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike në vend”, - theksoi Presidenti gjatë këtij takimi, duke e siguruar Raportuesin e Posaçëm së gjatë misionit të tij të rëndësishëm do të gëzojë të gjithë mbështetjen personale dhe institucionale të Kreut të shtetit.

Nga ana e tij Prof. Alston vlerësoi mundësinë e këtij takimi me Presidentin Topi dhe në përgjithësi shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe gatishmërinë e treguar nga të gjitha institucionet e shtetit shqiptar gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri në përmbushje të misionit të posaçëm. Prof. Alston vlerësoi përparimin e bërë këto vite në vendin tonë dhe ndryshimet e dukshme pozitive që kanë ardhur në jetën e qytetarëve shqiptarë si përsa u përket transformimeve demokratike ashtu edhe kujdesit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›