E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria ringre Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile për të përballuar situatën e përkeqësuar në zonën e Shkodrës, si pasojë e reshjeve të mëdha

është e rëndësishme të marrim të gjitha masat mbi bazën e praktikës së suksesshme që u krijua në operacionin e parë dhe ta kapërcejmë këtë situatë emergjence, me dëmet më minimale të mundshme.

Ne duhet të bëjmë çdo gjë për të mbrojtur çdo jetë njerëzore, çdo gjë të gjallë të mundshme, në rast se situata thellohet, ndonëse rënia e prurjeve ka përgjysmim, nga 3000 në 1500 m3/sekondë.

Këshilli i Ministrave vendosi sot ringritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile për të menaxhuar situatën përkeqësuar në zonën e Shkodrës, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, të cilat mbrëmë arritën në 3 mijë m3/sekondë, më të mëdhatë e shënuara këtë vit. Duke e konsideruar situatën emergjente, Kryeministri Berisha tha se Komiteti i Emergjencës do të fillojë nga funksionimi menjëherë.

“Sërish, kemi një situatë emergjente. Mbrëmë, prurjet e të dy degëve të Drinit kanë arritur në 3 mijë m3/sekondë. Të jashtëzakonshme kanë qenë prurjet e lumenjve të Alpeve, si dhe ka një rritje të ndjeshme të Kirit dhe Gjadrit. Ndaj për t’u përballur me këtë situatë të re është e domosdoshme të ngremë sërish Komitetin Ndërministror të Emergjencës, i cili duhet të nisë veprimtarinë që sot.”

Kryeministri Berisha tha se aktualisht ndodhen në zonë dhe po shqyrtojnë situatën Ministri i Brendshëm Basha, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë dhe komandantë të forcave të tjera. Kryeministri kërkoi marrjen e masave të menjëhershme për kapërcimin e kësaj situate me dëmet më minimale të mundshme.

“Prurjet e mbrëmshme, - tha Kryeministri - që ishin më të mëdhatë e këtij viti, në 3000 m3/sekondë, kanë rënë, nuk janë në këto nivele, por në 1500-1400 m3/sekondë. Të tilla janë edhe prurjet e Komanit. është e rëndësishme të marrim të gjitha masat mbi bazën e praktikës së suksesshme që u krijua në operacionin e parë dhe ta kapërcejmë këtë situatë emergjence, me dëmet më minimale të mundshme. Duhet të jemi energjikë, të vendosur, të mirëorganizuar. Të gjitha mjetet të spostohen drejt zonave potencialisht të mundshme për t’u përmbytur, të bëhen të gjitha planet e evakuimit, të ndihmës. Ne duhet të bëjmë çdo gjë për të mbrojtur çdo jetë njerëzore, çdo gjë të gjallë të mundshme, në rast se situata thellohet, ndonëse rënia e prurjeve ka përgjysmim, nga 3000 në 1500 m3/sekondë, në rast se do të ketë reshje të tjera shumë të fuqishme, gjë që nuk besoj se do të jenë në rritje kaq të mëdha, por kjo nuk dihet. Në fakt, në sasi kolosale ka shkrirë edhe dëbora. Moti ka qenë shumë i thellë.”

Kryeministri Berisha shpjegoi gjithashtu se, si pasojë e reshjeve të mëdha, një rrufe në Vaun e Dejës bllokoi transmetimin e energjisë elektrike dhe për një periudhë zhyti vendin në blackout. “Kjo, - tha Kryeministri - ishte shkaku i asaj që ndodhi mbrëmë, në orën 9.15 minuta të darkës. Por u punua dhe u rivendos me shpejtësi transmetimi.”


24/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›