E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Idrac: Ne kemi besim te Shqipëria, sidomos në procesin e integrimit europian, të cilin Franca e mbështet fort

Kryeministri Berisha: Mbështetja e Francës në përpjekjet tona për integrim europian është e një rëndësie parësore.

Ministrja Idrac: Marrëdhëniet tona politike janë shumë të mira. Këtë e dëshmojnë edhe vizitat e dy ministrave francezë në Shqipëri në tre muajt e fundit, ajo e zotit Pierre Lellouche dhe vizita ime, me kërkesë të Presidentit Sarkozy.

Ne kemi synim që të shtojmë, forcojmë dhe të nxisim investimet franceze në Shqipëri dhe vendosjen e ndërmarrjeve franceze këtu.

Dua të inkurajoj dhe të shpreh konsideratën time për angazhimin e qeverisë shqiptare për krijimin e një klime inkurajimi dhe të lirë për sipërmarrjen dhe biznesin.

Kryeministri Berisha priti sot në takim Sekretaren e Shtetit të Francës për Tregtinë e Jashtme, Zonjën Anne-Marie Idrac. Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Zonja Idrac dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën u shprehën:

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam bisedimet me ministren Idrac, së cilës i shpreha falënderimet e mia më të përzemërta për këtë vizitë, mirënjohjen e thellë ndaj Presidentit Nikola Sarkozy dhe mbështetjes së madhe të tij dhe të qeverisë franceze për Shqipërinë në rrugën e integrimi euroatlantik. Mbështetja e Francës në përpjekjet tona për integrim europian është e një rëndësie parësore.

Zonja Idrac vjen në Shqipëri për të inkurajuara dhe fuqizuar si marrëdhëniet politike midis dy vendeve, ashtu edhe marrëdhëniet në fushën ekonomike dhe tregtare. Ne diskutuam mbi mundësitë e mëdha që paraqet Shqipëria për investitorët francezë. Konstatojmë me kënaqësi se një seri sipërmarrjesh franceze operojnë në Shqipëri, ndër të cilat Sagem, në një nga fushat më të rëndësishme, atë të prodhimit të dokumenteve të identitetit më modernet në Europë për shqiptarët, Societe Generale është gjithashtu, një garanci tjetër e madhe për investitorët francezë, por edhe një investitor i mirë në Shqipëri. Këto ditë Shqipëria do të ratifikojë në parlament marrëveshjen me Eurocopter, do të modernizojë flotën e saj të helikopterëve me prodhimet e kësaj kompanie.

Unë e njoha ministren me të gjitha përpjekjet tona me dyfishimin dhe mbidyfishimin e lidhjeve infrastrukturore e të gjithanshme me rajonin, Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në rajon dhe zbatimin e saj nga qeveria shqiptare, si një kusht për zgjerimin e hapësirës së tregut në rajonin tonë, për përpjekjet tona për një klimë miqësore dhe bashkëpunimi me të gjitha vendet e rajonit. Unë kam bindjen se kjo vizitë do të jetë një inkurajim i vërtetë për investitorët. Duhet të theksoj se ministrja në delegacionin e saj ka përfaqësues të kompanive më serioze franceze, të cilët po shqyrtojnë mundësitë për investime të mëdha në Shqipëri.

Duke e falënderuar zonjën ministre për këtë vizitë, shfrytëzova rastin për t’i përcjellë përshëndetjet e përzemërta Presidentit Sarkozy dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë.

Ministrja Idrac: Faleminderit zoti Kryeministër. Në fakt, unë kam ardhur për t’i përsëritur qeverisë shqiptare, Kryeministrit shqiptar përshëndetjet më të përzemërta të Presidentit Sarkozy dhe të Francës. Ne kemi besim tek Shqipëria sidomos në procesin që ajo ka filluar të integrimit europian, të cilin ne e mbështesim fort.

Siç e tha edhe zoti Kryeministër, marrëdhëniet tona politike janë shumë të mira. Këtë e dëshmojnë edhe vizitat e dy ministrave francezë në Shqipëri në tre muajt e fundit, ajo e zotit Pierre Lellouche dhe vizita ime, me kërkesë të Presidentit Sarkozy.

Vitin e kaluar këmbimet tregtare me Shqipërinë janë dyfishuar, për arsye, siç e tha edhe zoti Kryeministër, të blerjeve të fundit që janë bërë për helikopterë dhe aviacionin rajonal. Besoj se potenciali i zhvillimit të marrëdhënieve me Shqipërinë është shumë i madh dhe mendoj se për momentin është ende i ulët, në krahasim me nivelin e mirë të marrëdhënieve që kemi me Shqipërinë dhe potencialet e saj. Siç e tha edhe zoti Kryeministër, përsa i përket fushës së investimeve ne kemi synim që të shtojmë, forcojmë dhe të nxisim investimet franceze në Shqipëri dhe vendosjen e ndërmarrjeve franceze këtu. Sot, me shumë interes dhe krenari pata mundësinë të vizitoj qendrën e prodhimit të pasaportave të Sagem në Shqipëri, e cila është e niveleve shumë të larta dhe është një krenari për ne, por edhe një ndihmë e madhe, pasi prodhon dokumente vërtet të sigurta për shqiptarët dhe për procesin e tyre të integrimit europian. Besoj se ka edhe fusha të tjera, ku ndërmarrjet franceze mund të jenë prezent në Shqipëri, duke filluar që nga uji dhe energjia, për shembull kompania Rhone, e cila është e interesuar në investimet për centralet hidroelektrike. Zoti Kryeministër më tha se ka të paktën 100 projekte ndërtimi centralesh elektrike. Gjithashtu, në fushën e infrastrukturës mendoj se të gjitha ndërmarrjet tona që ofrojnë shërbime të ndryshme të inxhinierisë, të projektit, por edhe të pjesëmarrjes direkt në ndërtimet në terren mund të marrin pjesë dhe të jenë të pranishme. Në mënyrë të veçantë, dua të inkurajoj dhe të shpreh konsideratën time për angazhimin e qeverisë shqiptare për krijimin e një klime inkurajimi dhe të lirë për sipërmarrjen dhe biznesin dhe doja ta inkurajoja në këtë drejtim. Modernizimi i administratës dhe të gjitha strukturave shtetërore, modernizimi dhe përparimi që është bërë në fushën fiskale, në ligjin fiskal duhet të tërheqin gjithnjë e më tepër investitorët në Shqipëri. Ky është edhe mesazhi i besimit që erdha të shpreh këtu në Shqipëri për Kryeministrin, por edhe ndërmarrjet franceze, të cilat duhet të jenë sa më të pranishme këtu. Faleminderit.

Pyetje: Duke qenë se për investimet e huaja duhet edhe një situatë politike e favorshme, ju keni pasur konsulta të gjata dje me përfaqësuesit të Këshillit të Europës dhe në presidencë. Si kanë nisur këto bisedime dhe a jeni afër zgjidhjes së krizës?

Kryeministri Berisha: Në tryezën e Presidentit të republikës, në takimet me Komitetin Presidencial të Këshillit të Europës, të filluar dje në zyrën time, por edhe më presidencë, kam pasur mundësinë të faktoj një përpjekje të ndershme, serioze, një ndihmesë reale për zgjidhjen e këtij problemi. Më shumë nuk dua të komentoj, sepse problemet janë në shqyrtim, por unë kam qenë dhe jam i vendosur të jap të gjithë ndihmesën time, në mënyrë që opozita të zërë vendin atje ku e ka, në parlament.

Pyetje: Situata politike në vend është një ndër kriteret për investitorët e huaj në momentin që duan të investojnë në një vend. Si do ta vlerësonit ju situatën aktuale politike, a ka ndikim në ecurinë e investimeve të huaja?

Kryeministri Berisha: Klima e investimeve në Shqipëri është shumë e mirë. Natyrisht, opozita mund të ketë objeksione për problemin e zgjedhjeve, të cilat kanë një certifikim kombëtar dhe ndërkombëtar, por opozita nuk është dhe nuk mund të jetë kundër, të paktën në dijeninë time, investimeve të huaja në Shqipëri. Nuk e di të ketë ndonjë sëmundje ksenofobie, nuk është shfaqur deri më sot në opozitën shqiptare. Ndaj investitorët janë të sigurt se ata, në projektet e tyre, kanë mbështetje të gjithanshme në Shqipëri. Nuk duhet konfonduar një problem specifik, siç është kutia, me problemin e rëndësisë universale, siç janë investimet.


23/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›