E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha priti një grup biznesmenësh izraelitë

Kryeministri Berisha ka pritur sot një grup biznesmenësh izraelitë, përfaqësues të kompanive të mëdha biznesi që ushtrojnë aktivitetin e tyre në të gjithë botën, në fushën e bujqësisë, menaxhimit të ujit dhe industrisë ushqimore.

Grupi i biznesmenëve është shoqëruar në këtë takim me Kryeministri Berisha nga ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, znj. Amira Arnan.

Në fillim të këtij takimi, grupi i biznesmenëve ka theksuar se marrëdhëniet shumë të mira që kanë ekzistuar gjithmonë mes Shqipërisë dhe Izraelit duhet të forcohen edhe me bashkëpunime në fushën e ekonomisë. Pasi kanë shprehur admirimin e tyre për ndryshimet e bëra në këto dy vitet e fundit në Shqipëri, në lidhje me forcimin dhe përmirësimin e strukturave dhe klimës investuese, biznesmenët izraelitë i kanë bërë me dije Kryeministrit se, pas studimeve paraprake të bëra deri më tani, kanë ardhur në Shqipëri për të konkretizuar disa projekte investimi në fushat e sipërpërmendura, ku ata operojnë, pra, në fushën e bujqësisë dhe industrisë ushqimore. Ata shprehën interes të madh dhe ofruan investime dhe përfshirje të qeverisë izraelite edhe në fushën e menaxhimit të ujërave dhe të pastrimit të ujërave të zeza.

Pasi prezantuan projektet e tyre konkrete, biznesmenët  theksuan gjithashtu se do të bëhen lajmëtarë të investitorëve të tjerë izraelitë në fushën e energjisë dhe infrastrukturës në Shqipëri.

Kryeministri Berisha, pasi është njohur me interesin e këtij grupi biznesmenësh dhe me projektet e tyre konkrete për investime në Shqipëri, i ka falënderuar ata për të gjithë propozimet e bëra dhe i njohu me situatën makro dhe mikro ekonomike të Shqipërisë. Kryeministri theksoi se Shqipëria është jo vetëm vendi me barrë fiskale më të ulët e më mikpritëse për investimet në rajon, por dhe më i përshtatshmi për investime në agrikulturë dhe industri ushqimore. Shqipëria është e njohur, ka theksuar më tej Kryeministri, për ushqimin e saj të shijshëm dhe meritë për këtë ka mbajtja e prodhimit bio dhe klima, më shumë se teknologjia e zhvilluar.

Në fund të takimit, Kryeministri Berisha u ka garantuar grupit të biznesmenëve izraelitë, mbështetjen e qeverisë shqiptare në zbatimin e suksesshëm të projekteve të tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›