Kryeministri Berisha priti përfaqësues të një kompanie financuese italiane
Kryeministri Berisha ka pritur sot në zyrën e tij përfaqësues të “Bondcom”, një grup financues ky nga veriu i Italisë. Ata i kanë shprehur kryeministrit interesin për të sjellë në Shqipëri disa prej investimeve, të cilat kjo kompani po i aplikon edhe në Rumani, në fushën e energjetikës, të përpunimit të mbetjeve urbane, të ndërtimit të rrugëve, por edhe në fushën e bujqësisë.
Pasi kanë prezantuar projektet e tyre, përfaqësuesit e “Bandcom” i kanë bërë me dije Kryeministrit Berisha se e kanë gati tashmë financimin për të filluar sa më parë punën. Ata janë shprehur gjithashtu se janë të gatshëm të marrin pjesë në tenderin e rrugës së Arbrit dhe në atë të rrugës Korçë- Qafë Thanë.
Pasi është njohur me projektet e tyre, Kryeministri Berisha i ka falënderuar përfaqësuesit e kompanisë për interesin që shprehën për të investuar në Shqipëri. Pasi u ka përshkruar panoramën e klimës pozitive të biznesit në vend, Kryeministri u ka garantuar gatishmërinë e administratës shqiptare për të mbështetur këto projekte dhe u ka sugjeruar jugun e Shqipërisë, si parajsën e kërkuar për investimin që ata kërkojnë të bëjnë në fushën e bujqësisë.