E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti sot Ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Ahmed Davutoglu

Ministri turk Davutoglu u shpreh se Turqia vlerëson lart kontributin personal të Kryeministri Berisha dhe qeverisë së tij në konsolidimin e mëtejshëm  të marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore mes dy vendeve dhe dy popujve miq.

Kryeministri Berisha priti sot në takim, në selinë e Këshillit të Ministrave, Ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Ahmed Davutoglu.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen në Tiranë Ministrit të Jashtëm të Turqisë, z. Ahmed Davutoglu, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë vizitë si një vizitë shumë të rëndësishme dhe një shprehje më shumë të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes të dy qeverive dhe të dy vendeve.

“Populli shqiptar dhe populli turk janë të lidhur me mijëra fije miqësie tradicional e ndjenjash solidariteti dhe jemi të lumtur që gjatë viteve të fundit kjo miqësi dhe këto marrëdhënie të shkëlqyera ka njohur rritje dhe konsolidim të mëtejshëm dhe kanë arritur nivelet më të larta, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më tej kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që Turqia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve në të gjitha fushat.

Ministri turk pasi i falënderoi përzemërsisht km Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më miqësore të Presidentit të Turqisë, zotit Abdullah Gyl dhe Kryeministrit  Recep Tayyip Erdogan.

Duke ju bashkuar vlerësimit të Kryeministrit Berisha, Ministri turk Davutoglu u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se Turqia vlerëson lart kontributin personal te Kryeministri Berisha dhe qeverisë së tij në konsolidimin e mëtejshëm  të marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore mes dy vendeve dhe popujve miq, atij turk dhe atij shqiptar dhe në intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushave mes dy vendeve në të mirë të mirëqenies dhe begatisë të të dy popujve.

Në veçanti në takim u vlerësua fakti se investimet turke në Shqipëri  kanë njohur një rritje të jashtëzakonshme gjatë mandatit të shkuar 4 vjeçar  të qeverisë Berisha nga rreth 50 milion përpara këtij mandati, po afrojnë tashmë shifrën rreth 1 miliard $. Kompani nga më të mëdhatë dhe më seriozet turke janë duke zhvilluar aktivitete të suksesshme në Shqipëri. Kryeministri Berisha dhe Ministri turk shprehen vendosmërinë e të dy qeverive që në vijim të zgjerohet bashkëpunimi edhe më tej në të gjitha fushat në veçanti në turizëm, arsim, transporte etj.

Në takim u diskutuan edhe zhvillimet në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Berisha dhe Ministri i Jashtëm turk Davutoglu shprehën qëndrimin e të dy qeverive për mos ndryshimi të kufijve të Bosnje Hercegovinës si dhe për mos ndryshim të kufijve ndërkombëtarë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si garancia e vetme për paqen dhe sigurinë në Rajon.


18/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›