E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha shënjestra e goditjeve të PS-së

23/12/2010  Seanca, grupi parlamentar socialist përcakton axhendën

Kryeministri Sali berisha do të jetë shënjestra kryesore mbi të cilën ligjvënësit socialistë do të përqendrojnë të gjithë “luftën” e tyre në seancën e sotme parlamentare. Një oponencë që do të përshkohet nga një gjuhë e ashpër dhe akuzuese ndaj mazhorancës qeverisëse dhe drejtuesve të saj, do të jetë sot qëllimi kryesor për të cilin i gjithë grupi parlamentar socialist do të kundërshtojë fort keqqeverisjen e vendit. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit kuvendor të Partisë Socialiste u përcaktua axhenda me të cilën do të shfaqet sot ky grupim në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar. Por nga vetë rëndësia e kësaj seance, pasi përfshihen mjaft çështje të rëndësishme në të, deputetët socialistë kanë vendosur që përmes deklaratave në Kuvend t’u japin një goditje të fortë drejtuesve të shumicës. Konkretisht në rendin e ditës do të jetë e përfshirë kërkesa e PS-së për mocion me debat me Kuvendin, bazuar në raportin e Komisionit Europian, i cili shfaqi qartë mangësitë në qeverisje dhe në mënyrën e drejtimit të institucionit të Kuvendit. Për këtë arsye, në ligjeratat e tyre socialistët nuk do të kursejnë gjuhën kritike ndaj kryeministri Berisha dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli.

Një tjetër pikë e rendit të ditës është dhe marrja në shqyrtim e kërkesës së PS-së për ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Mësohet se gjatë seancës së sotme deputeti socialist, njëkohësisht dhe sekretar për çështjet ligjore në PS-së, Fatmir Xhafa, përmes një relacioni të përgatitur për këtë çështje do të bëjë të ditur qëndrimin e socialistëve, përmes të cilit pritet që PS-ja të kundërshtojë të gjitha pretendimet e ardhura nga mazhoranca parlamentare, e cila e ka cilësuar antiligjore mënyrën se si PS-ja kërkon të operojë me hetimin e procesit zgjedhor. Gjithashtu ligjvënësit socialistë do të kundërshtojnë dhe miratimin e aktit normativ për pensionet e ish-ushtarakëve. Njëkohësisht duke qenë se kjo seancë ka në rend të ditës çështje të rëndësishme, pritet që kreu i grupit të PS-së Gramoz Ruçi të kërkojë shtyrjen në seancat e ardhshme të disa ligjeve që kanë të bëjnë me ratifikim marrëveshjesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›