E Diel, 1 Nëntor 2026

Papajtueshmëria e mandatit te deputetit, Kushtetuesja shtyn gjykimin

23/12/2010  Gjykata nisi shqyrtimin e kërkesës së PS-së për interpretimin e katër neneve të Kushtetutës

Sipas gjyqtarëve, dy prej tyre janë të gjykuara një herë nga ky institucion në vitin 2000

Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për interpretimin e katër neneve të Kushtetutës, të cilat lidhen me mandatin e deputetit dhe papajtueshmërinë e tij me funksione të tjera. Për shkak të kërkesës së palës së interesuar, në këtë rast Kuvendit, për tu njohur me materialet shtesë të ankimuesit, deputetit të PS-së Damian Gjiknuri, Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për mesditën e sotme. Përfaqësuesi i ligjvënësit Lulzim Lelçaj ngriti pretendimin e njohjes me materialet shtesë, me qëllimin e paraqitjes edhe prej tij të materialeve të tjera. Seanca e djeshme nisi me palën ankimuese, që prezantoi kërkesën, shoqëruar edhe me argumentet përkatëse, bazuar në çështjen aktuale “Beqja”. “Nuk mund të mbash përgjegjësi për respektimin e Kushtetutës, nëse fillimisht nuk je betuar para saj. Edhe shumë përfaqësues të institucioneve të tjera kushtetuese nisin detyrën e tyre pasi bëjnë betimin. Gjithashtu ligji për statusin e deputetit e shpjegon qartë këtë ide. Ai parashikon të drejta, detyrime dhe lehtësime deri edhe financiare për deputetët, dhe që të gjitha këto bëhen të mundshme vetëm kur deputeti bën betimin. Deputetët e PS-së nuk përfituan asnjë lloj lehtësie, as financiare, para se të bënin betimin e deputetit”, - tha Gjiknuri. Ai gjithashtu solli në vëmendjen e gjyqtarëve edhe rastin e rreth 20 deputetëve që sipas tij ushtronin detyrat e tyre shtetërore deri ditën që bënë betimin, ndërkohë që kishin mbi një muaj që ishin zgjedhur si të tillë nga KQZ-ja. “Shumë deputetë (unë kam paraqitur në dokumentet e mia rreth 20 raste), para se të merrnin detyrën e deputetit, pra të bënin betimin në parlamentar më 8 shtator, kanë ushtruar funksione shtetërore. Pra, nëse do ti referohemi interpretimit se mandati nis me marrjen e zyrtarizimit nga KQZ-ja, edhe për rastet e deputetëve të mazhorancës do të kishim papajtueshmëri”, - vijoi ai. Deputeti i PS-së ngriti shqetësimin e tij edhe për pamundësinë e zbatueshmërisë së ligjit për konfliktin e interesi. Në mënyrë të veçantë ai u ndal te parashikimi i Kushtetueses, që njeh të drejtën e ¼ të deputetëve për të kërkuar papajtueshmëri. “Rasti i Shqipërisë lidhur me konfliktin e interesit është i paqartë për sa i takon mënyrës se si Kuvendi mund të përdorë të drejtën për të kërkuar pavlefshmëri për arsye politike. Ne si opozitë jemi pakicë dhe nuk mund të kërkojmë dot papajtueshmëri të mandatit”, - vijoi Gjiknuri. Por Kuvendi e kundërshtoi këtë pretendim të socialistit. “Çështja e vendimmarrjes është çështje e vullneteve. Nuk ka asnjë pengesë ligjore, kushtetuese apo në Rregulloren e Kuvendit që një grup deputetësh të hapë një debat të tillë pa paragjykuar vendimmarrjen”, - tha Lelçaj. Në pyetje-përgjigjet me anëtarët e Gjykatës, këta të fundit kujtuan se institucioni që ata përfaqësonin e kishte marrë një vendim për interpretimin e neneve 69, pika 1 dhe 71, pika 2 të Kushtetutës.

“Beqja” do të gjykohet sot nga Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese do të nisë sot shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin të deputetit Ilir Beqja sipas nenit 70, pika 4 të Kushtetutës. Kërkesa është depozituar nga mazhoranca pas votimit me 70 vota pro, 67 kundër dhe dy abstenime të Kuvendit për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të kësaj çështjeje. Raporti i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, organ i Kuvendit, i cili e gjykoi fillimisht këtë çështje para se ta miratonte Parlamenti, citonte se deputeti i Partisë Socialiste Ilir Beqja ka qenë aksioner me 51 për qind në kompaninë “Intech Plus”, ka përfituar para nga fondet publike nga pjesëmarrja në një tender të shpallur nga Bashkia e Durrësit gjatë periudhës gusht 2009–maj 2010. Kjo situatë, sipas përfundimeve të Këshillit për Mandatet, bie ndesh me nenin 70 dhe nenin 71 të Kushtetutës. Vetë deputeti Beqja deklaroi se shpifjet e mazhorancës ndaj tij tregojnë se kryeministri Berisha ka dështuar. Rasti “Beqja” u bë shkas që ligjvënësit socialistë ti drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur kolegun e tyre, por njëkohësisht për të penalizuar jo pak përfaqësues të mazhorancës parlamentare se nuk kanë ndjekur rregullat ligjore lidhur me garën zgjedhore për në legjislativ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›