Raporti, SHBA mbështet Kosovën
Zëvendësambasadori amerikan në Prishtinë, Majkëll Mërfi ka rikonfirmuar se marrëdhëniet dhe partneriteti i SHBA-ve me Kosovën nuk janë dëmtuar nga raporti i Dik Martit, i cili akuzon disa ish-udhëheqës të UÇK-së dhe Kryeministrin Thaçi për veprimtari kriminale. “Departamenti amerikan i Shtetit e ka bërë shumë të qartë, kur ka thënë se nuk ka ndikime në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, - ka thënë zv.ambasadori amerikan, duke kërkuar nga Dik Marti që nëse ka prova, t’i paraqesë ato. Këto komente, ai i ka bërë gjatë një vizite në Graçanicë, në ceremoninë e diplomimit të Ekipit për Veprim në Mbrojtje të Komuniteteve. “Unë kam qenë shumë i kënaqur kur kam dëgjuar Kryeministrin të thotë se qeveria e tij dhe populli i Kosovës do të bashkëpunojnë me hetimet e këtilla”, - ka përfunduar ai.