Marti: Hetimi, në interes të Thaçit
Raportuesi i KiE, Dik Marti ka deklaruar nga Moska se është në interesin e vetë lidershipit politik kosovar, që të zbardhen akuzat për trafik organesh njerëzore. “Është në interes të vetë kryeministrit, Hashim Thaçi, që të konfirmohet e vërteta”, - ka pohuar Marti për radion ruse “Eho Moska”. Marti, i cili ndodhet në Rusi për hartimin e një raporti mbi konfliktin me Gjeorgjinë, ka refuzuar të bëjë parashikime për të ardhmen. “Për këtë është e vështirë të flitet” - është shprehur ai. Sipas Martit, detyra e tij ka qenë vetëm hartimi i raportit dhe i takon qeverive të vendeve europiane për të nxjerrë përfundimet. Duke mos u tërhequr nga akuzat e tij, raportuesi ka theksuar se, nuk mund të ndërtohet e ardhmja, pa u zbardhur më parë ngjarjet e së kaluarës.
“Thaçi është një lider i rëndësishëm i krimit të organizuar kosovar, për të cilin ka pasur shumë informacione që gjenden në raporte ndërkombëtare”, - ka ripohuar Marti. I pyetur nëse ekzistojnë prova materiale për transplantimin e organeve, ai ka thënë se ekzistojnë prova për “vendet dhe rrethanat”.