Objektet shtetërore me qera, detyrim, privatizimi i truallit
Këshilli i Ministrave miratoi dje kriteret për privatizimin e truallit të objekteve shtetërore të cilat janë dhënë me qera ose janë shitur. Vendimi i djeshëm detyron këto biznese që kanë marrë objekte shtetërore në përdorim, të privatizojnë truallin, ndryshe humbasin objektin. Sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave, afati për pagesën e vlerës së truallit është data 31 maj. Sipërmarrësit do të duhet të paguajnë brenda kësaj date paratë për truallin me vlerën e tregut. Në rast se sipërmarrësi nuk paguan vlerën e truallit brenda këtij afati, atëherë objektin e merr në pronësi ish-pronari i tokës ose i kalon agjencosë së pronave për kompensim. Në bazë të procedurave të përcaktuara, shitja e truallit do të kryhet nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave e do të bëjë të gjitha shitjet e trojeve të ndërmarrjeve e objekteve të tjera shtetërore, të privatizuara para krijimit të këtyre agjencive. Bizneset, të cilat kanë privatizuar objekte apo ndërmarrje, por që nuk kanë privatizuar sipërfaqen e truallit, sipas gen-planit të dokumentacionit të privatizimit, duhet ta blejnë këtë truall deri më 31.5.2009, si dhe të kenë paguar qiranë e truallit rregullisht, deri në pagesën e vlerës së plotë të çmimit të truallit, brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. Pas afatit të përcaktuar, 31 maj të këtij viti, në rastet kur nuk është paguar qeraja dhe nuk është blerë trualli nga pronarët e objekteve apo të ndërmarrjeve të privatizuara, trualli i tyre vihet në dispozicion të Agjencisë së Pronave për kompensimin e subjekteve të shpronësuara dhe në rastet kur trualli ka pronarë të njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, trualli i kalon këtij pronari.
Procedura
Bizneset duhet të nisin menjëherë aplikimin për pagimin e truallit me Drejtorinë e Pronave Publike në ministri. Ato duhet të paraqesin me shkrim një kërkesë për blerjen si dhe të shoqëruar me vërtetimin hipotekor, certifikatën e pronësisë, të noterizuar, nëse ka, kartelën e pasurisë për objektin, të lëshuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe hartën treguese të pasurive të paluajtshme, në zonën përkatëse, nëse është e përditësuar jo më pak se 15 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës. Subjektet duhet të kenë edhe një fotokopje të noterizuar të kontratës së shitjes së objektit apo ndërmarrjes si dhe deklaratën noteriale origjinale që vërteton se nuk ka proces gjyqësor për objektin dhe truallin përkatës. Drejtoria e Pronave Publike, brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës jep përgjigje për rastet kur privatizimet janë kryer nga ish-AKP-ja dhe degët e saj në rrethe, nëse dosja e privatizimit gjendet e rregullt dhe brenda 7 ditëve nga mbërritja e dokumentacionit të privatizimit nga drejtoritë rajonale të bujqësisë. Zyra Rajonale e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme i kthejnë përgjigje Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, brenda 15 ditëve nga data e marrjes së kërkesës. Në rastet kur konfirmohet se trualli i objekteve apo ndërmarrjeve të shitura ka pronarë, të njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave apo ka pronar shtetin, atëherë Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, kryen shitjen e truallit dhe lidhjen e kontratës.
Si do të privatizohet trualli i objektit
Procedurat që do të ndiqen për privatizimin e truallit të objektit kanë të bëjnë me:
- Kërkesën me shkrim për blerje të truallit
- Vërtetimin hipotekor, certifikatën e pronësisë, të noterizuar, nëse ka, kartelën e pasurisë etj., për objektin, të lëshuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe hartën treguese të pasurive të paluajtshme, në zonën përkatëse, nëse është e përditësuar jo më pak se 15 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës
- Fotokopjen e noterizuar të kontratës së shitjes së objektit apo ndërmarrjes, lëshuar nga ish-AKP-ja, ish-AQRNB-ja, Ministria e Financave, DASHPP-ja dhe nga ndërmarrjet përkatëse, përpara krijimit të agjencive, fotokopje të noterizuar të gen-planit apo planimetrisë së objektit (në çastin e privatizimit).
- Deklaratën noteriale origjinale, në dy kopje, që vërteton se nuk ka proces gjyqësor për objektin dhe truallin përkatës.
Qeveria, penalizime për dëmtuesit e pyjeve
Qeveria vendos të penalizojë të gjithë shtetasit të cilët dëmtojnë pyjet që janë të mbrojtje nga shteti. Qeveria miratoi dje kriteret sipas të cilave vlerësohet dëmi që u bëhet pyjeve. Kështu, do të cilësohet penalizim i rëndë ai që është kryer në një zonë pyjore të mbrojtur, sidomos në nënzonat e saj, që janë me status rreptësisht të mbrojtur, duke i nxjerrë ato jashtë funksionit, për të cilin kanë marrë statusin e mbrojtjes ose janë kryer në parcela eksperimentale e studimore, të pyjeve, të kullotave e të livadheve, duke bërë të pamundur vazhdimin e eksperimentimit e të studimit shkencor. Dënohet rëndë ai që ka dëmtuar grumbujt e drurëve dhe të llojeve pyjore të paracaktuara për konservim, germoplazmë, in situ dhe ex situ, për grumbullim, përpunim, shpërndarje dhe certifikim të materialit mbjellës si dhe dënohet rëndë prerja e pyjeve që është kryer në një pyll mbrojtës, të cilësuar të tillë në planet e mbarështimit, duke e nxjerrë atë jashtë funksionit. Në këtë listë përfshihen edhe ata që kanë shkatërruar një monument pyjor natyror, të miratuar me një akt normativ, kanë asgjësuar me prerje, me shkulje, me marrje, individë të llojeve të florës, të rralla, të rrezikuara e që gëzojnë status të veçantë mbrojtjeje si dhe kanë shkatërruar cilësitë e një habitati konkret.