Kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryegjyshit Baba Reshat Bardhi
Kryeministri Berisha, i cili ka ndjekur me vëmendje gjendjen e rënduar shëndetësore të Baba Reshat Bardhit gjer mbrëmë në mesnatë, ndjehet i pikëlluar thellë, sëbashku me të gjithë shqiptarët, me ndarjen nga jeta të udhëheqësit shpirtëror të bektashizmit shqiptar dhe botëror, Kryegjyshit Baba Reshat Bardhi.
Shqipëria dhe shqiptarët kanë pasur tek Kryegjyshi i bektashizmit një simbol të madh të mirësisë, paqes, mirëkuptimit dhe përkushtimit ndaj vlerave njerëzore e hyjnore.
Pas shembjes së diktaturës komuniste, Baba Reshat Bardhi rindërtoi me shpejtësi vlerat e rrënuara nga regjimi barbar të bektashizmit shqiptar. Ai vdiq sot duke lënë mbrapa veprën e tij të frymëzimit për mirëkuptim, paqe, tolerancë e harmoni. Me këtë rast, Kryeministri Berisha i shpreh Kryegjyshatës së vendit, të gjithë bektashinjve shqiptarë ngushëllimet më të sinqerta dhe lutet sëbashku me ta që shpirti i ngritur i tij të gjejë paqen e amshuar.
02/04/2011