E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron shkollën 9 vjeçare të fshatit Daias dhe rrugën e Mullet-Daias, në komunën Petrelë, investime me vlerë 52 milion lekë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në inaugurimin e shkollës 9 vjeçare të fshatit Daias, investim prej 13 milion lekësh, në komunën Petrelë.

          - Shkolla 9 vjeçare e ndërtuar sipas të gjitha parametrave bashkëkohore ka 126 nxënës, 6 klasa, kopsht, si dhe kabinet informatike e laboratorë.

Duke përshëndetur të gjithë ata që u angazhuan në ndërtimin e këtij objekti, Kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë për tu sjelle banorëve të zonës, një shkollë moderne, sipas të gjitha standardeve të kohës.

-  Më pas kryeministri përuroi përfundimin e rikonstruksionit të rrugës Mullet-Daias, me gjatësi 2,4 kilometra dhe vlerë investimi 39 milion lekë, nga e cila përfitojnë 2 mijë  banorë të zonës.

Në fjalën drejtuar banorëve, Kryeministri u shpreh se rruga e re e bën Daiasin, këtë fshat piktoresk, një zonë turistike, ndër më të kërkuarat.

Kryeministri tha se në komunën e Petrelës,  gjatë këtyre 5 viteve të fundit janë investuar rreth 22 herë më shumë, se sa në 8 vite të marra së bashku të qeverisjeve të mëparshme. Kryeministri garantoi se në 4 vitet e ardhshme do të asfaltohet çdo kilometër rrugë, në të gjitha fshatrat e kësaj komune, si dhe do të ndërtohen ujësjellës e kanalizime, në çdo lagje të fshatrave të Petrelës.

Duke e cilësuar zonën, si një nga zonat më të mrekullueshme të ullirit, kryeministri ftoi të gjithë fermerët e komunës të aplikojnë për të mbjellë sa më shumë  rrënjë ullinj, duke i garantuar ata, se qeveria do të subvencionojë çdo rrënjë ulliri, por edhe drurë të tjerë frutorë.

Ndër të tjera, Kryeministri premtoi se në 4 vitet që vijnë, qeveria do të mbështesë çdo projekt  që do të paraqesin autoritetet vendore të zonës,  si dhe se brenda një harku kohor 18 mujor, distanca me kryeqytetin do të shkurtohet pothuajse me 2 herë, me rrugën e re që do të ndërtohet.

-         Në komunën Petrelë, gjatë 5 viteve të fundit janë ndërtuar 36 kilometra rrugë, 6 sisteme të ujit të pijshëm dhe kanalizime, 2 shkolla 9 vjeçare dhe 4 qendra shëndetësore.

Në përshëndetjen drejtuar banorëve, kryeministri u shpreh:

"Të dashur banorë të fshatit Daias, nxënës, prindër, familjarë, mësues dhe mesuese.

Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe ju uroj gëzuar inaugurimin e shkollës së re, inaugurimin e rrugës, një investim prej rreth 52 milionë lekë.

Dua me këtë rast të përshëndes të gjithëve ju, të përshëndes Kryetarin e Komunës, zotin Ylli Kupe, deputetin tuaj, ministrin e Arsimit zotin Tafaj, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe të gjithë ata që u angazhuan, në ndërtimin e kësaj shkolle të re, të pajisur me të gjitha mjetet e një shkolle moderne, me kopshtin që ju e keni aq të domosdoshëm për përgatitjen e fëmijëve tuaj për në shkollë, me kabinetin e informatikës dhe me të gjitha pajisjet e tjera. 

Sikundër, ndërtimi i rrugës që inaugurojmë ne sot, përbën një domosdoshmëri, por gjithashtu bën Daiasin, këtë fshat kaq piktoresk, një zonë turistike më të kërkuarën.

Në këto vite, qeveria  shqiptare ka investuar në komunën e Petrelës rreth 22 herë më shumë se sa 8 vite të marra se bashku, apo disa herë më shumë se në të gjitha kohërat më parë. Këtu në Petrelë ne kemi ndërtuar rreth 36 km rrugë. Ne i përmbahemi parimit se çdo fshat i këtij vendi duhet të ketë infrastrukturën  e qytetit, duhet të ketë rrugët, shkollat, kanalizimet, ujësjellësit e njëjtë me ato të lagjeve të qytetit. Ndaj edhe ne, me investimet tona në 5 vite, ia dolëm të asfaltojmë, të ndërtojmë 36 km rrugë. Unë ju garantoj se gjatë mandatit të ardhshëm, gjatë 4 viteve, me zotin Ylli Kupi  do asfaltojmë çdo kilometër rrugë, në të gjithë fshatrat e kësaj komune. Kemi ndërtuar 6 ujësjellës e kanalizime. Gjatë 4 viteve që vijnë do të ndërtojmë ujësjellës e kanalizime në çdo lagje të fshatrave të kësaj komune.

Në komunën tuaj janë rritur rreth 20 herë subvencionet për dru frutorë. Komuna është një zonë nga më të mrekullueshmet e ullirit. Ftoj të gjithë fermerët e komunës të aplikojnë për të mbjellë sa më shumë  rrënjë ullinj dhe i garantoj ata se qeveria do të subvencionojë çdo rrënjë ullinj por edhe drurë të tjerë frutorë.

Në këtë periudhë ne jemi të angazhuar më shumë se kurrë në një dialog me ju. Këtë fushatë ne e kemi shpallur si fushatë në të cilën në epiqendër do të jeni ju, një fushatë për ju, në të cilën ne duam të mësojmë si qeveri të gjitha problemet tuaja, të gjitha përparësitë tuaja, të gjitha mundësitë tuaja. Ne besojmë se kjo fushatë dhe muaji prill, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për qeverinë, jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetarët, pasi kemi mundësi që së bashku të identifikojmë qindra e mijëra probleme e projekte për të realizuar, kemi mundësi që së bashku të identifikojmë se cilat janë mundësitë më të mëdha të secilit komunitet, të secilës komunë, në mënyrë që të bëjmë çdo gjë për të  mbështetur këto mundësi.

Komuna juaj ka potenciale të mëdha bujqësore, por potencialet më të mëdha të kësaj komune janë potencialet turistike. Ju jeni dëshmitarë se si me shpejtësi po shtohen ndërtimet e reja. Vlera e tokës në komunën tuaj është rritur në mënyrë të ndjeshme dhe do të vazhdojë të rritet, sepse ne do të ndërtojmë këtu infrastrukturën më moderne. Ju garantojmë se prurjet turistike në këtë komunë do të njohin rritjet më të mëdha. Këtë vit, Shqipëria është shpallur nga Agjencitë më serioze në botë si destinacioni kryesor turistik i planetit.

Turizmi për Shqipërinë dhe shqiptarët është jetik, para së gjithash për t’u bërë të njohur në Evropë e në botë. Të mos harrojmë se kemi kaluar periudhat më të gjata, më të thella të izolimit. Është jetik për të ardhurat e mëdha që sjell, është jetik për të gjithë zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Krahas kësaj alternative, e cila bazohet tërësisht në problematikën, në potencialet, në shqetësimet, në mundësitë e secilit prej jush dhe komuniteteve në tërësi, ekziston edhe alternativa tjetër e cila bazohet në akuzën, shpifjen e trillimin. Le t’i shtrojmë një pyetje shokut Edvin Rama, çfarë ofron ai? Cila është alternativa jote?. Alternativa e tij është: “fajin e ka Saliu”. Atëherë, unë do t’i them se “faji i Saliut” do të bëhet sa  mali i Dajtit, sepse unë do të ndërtoj rrugë, do të ndërtoj shkolla, do të subvencionoj ullishte, do të ndërtoj kanalizime. Këto, zotëria e tij i konsideron faje. Por le ta pyesim; Çfarë u zgjidh kjo qytetarëve? Kjo përkundrazi, vetëm sa dëshmon se ti vuan nga një mendësi e vjetër e akuzatorit. Këta të rinjtë e sotëm kanë fatin të mos e njohin atë sistem, por rikthen kohërat kur ti vetë bën gjykatësin, prokurorin, shpifësin, trilluesin dhe nuk sjell asgjë, asnjë alternativë, asnjë propozim asnjë sugjerim, në interes të qytetarëve. Mendoj se qytetarët dinë dhe do të dinë të përzgjedhin alternativën e tyre. Mbetet e paharrueshme për mua në mëmorje dhe besoj edhe ju e mbani mend që rritjen e fundit të rrogave dhe të pensioneve e shpalli si një akt kriminal të qeverisë. Po pse ishte kriminale rritja e pensioneve? Rritja e pensioneve është akti më njerëzor që mund të bëjë një qeveri. Këtu janë jo të paktë, ato gra dhe burra që janë shkrirë duke punuar në kooperativa bujqësore dhe në ferma dhe merrnin një shpërblim  qesharak për ato lumenj djerse. Nuk mund të them se marrin shumë, por të paktën ne ia dyfishuam, në një akt vlerësimi dhe respekti për ta. Ku qëndron krimi këtu, se rritëm pensionet?. Ne prapë do t'ua rrisim pensionet sepse ne kemi një ekonomi të qëndrueshme.

Ekonomia shqiptare e mbylli vitin 2010 me 4 % rritje. Por ne jemi të vendosur që të gjitha taksat tua kthejmë në rrugë, t'i kthejmë në kanalizime, t'i kthejmë në shkolla, t'i kthejmë në ullishte, t'i kthejmë në qendra shëndetësore. Kjo është politika jonë dhe ne nuk lëvizim nga kjo politikë. Por ne besojmë se të gjitha forcat politike duhet të bashkohen kur vjen puna për interesat jetike të qytetarëve. A mund të imagjinohet se për hir të karrikes të kundërshtojë heqjen e vizave për ju, se për hir të karrikes të bëjë fushatë në të gjithë Shqipërinë “ hap kutitë se do të ndryj vizat”, por nuk i mbylli dot vizat.

Ndaj dhe unë dua t'ju ftoj që me gjakftohtësi të gjykoni dhe vlerësoni alternativat dhe ju ftoj të votoni atë, që punon për ju. Ju garantoj se 4 vitet që vijnë do të mbështesim, si qeveri, çdo projekt që kryetari juaj dhe këshilli juaj i komunës do të hartojë për ju dhe se, ne një hark kohor 18 mujor, ju qytetarët e Daias, do të keni Tiranën, me rrugën e re, së paku 2 herë më afër".


01/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›